Një person shkonte vazhdimisht në kinema para vitit 1990. Ndër argëtimet e pakta në Shkodër dhe ky amator kinemaje, bie në sy të rojes që kontrollonte biletat. Pasi e pa të vinte rregullisht një javë për të ndjekur të njëjtin film, roja nuk durohet dhe e pyet për arsyen se pse vinte në kinema.
-E thjeshtë krejt! Sa herë vij në kinema, në fund të filmit ka një garë mes kuajve, një i zi dhe një i bardhë. Deri tani ka fituar gjithmonë i ziu. Vij me shpresën dhe dëshirën të fitojë të paktën një herë i bardhi…
Pak a shumë, e njëjta histori me rikthimin e mundshëm të Lulzim Bashës në krye të PD- së. Brenda PD- së është thënë gjithmonë se nuk ka fituar asnjlherë, asnjë garë. Në 2005- ën u katapultua në KOP nga Berisha, duke qendruar 8 vjet ministër. Në 2013- ën përballë Olldashit të ndjerë, Bashës ia dha drejtimin e PD- së po Berisha.
Në garat e tjera, në 2011- ën Rama e mundi në Bashkinë Tiranë me 10 vota. Berisha, Celibashi, ambasadori amerikan i kohës dhe “vota në kutinë e gabuar”, i dhanë Bashës “fitoren” në bashkinë e kryeqytetit. Në 2015- ën, Rama e mundi në zgjedhje vendore. I njëjti fat edhe në 2017- ën për zgjedhjet politike me “Republikën e re”. Në 2019- ën Basha ia dhuroi Ramës pushtetin vendor duke bojkotuar. Zgjedhjet politike të 2021- it, janë afër dhe sot Rama është në mbyllje të vitit të dytë të mandatit të tretë.
Demokratët i dinë këto fakte, sigurisht edhe vetë Basha. Po pse kërkon të rikthehet në krye të PD- së Lulzim Basha? Të një pjese të PD- së në fakt, ose gjysmës më të vogël të saj. Ka vetëm një logjikë. Dikush/disa, brenda/jashtë Shqipërisë, ti dhurojnë pushtetin në tepsi. Ka dhënë prova mjaftueshëm që nuk e mund Edi Ramën. Madje, nuk mund të fitojë përballë askujt. As brenda PD- së, nëse votohet realisht dhe nuk plotësohen procesverbalet e votimit një natë para votimit…
Natyrisht, opozita ka peshë dhe privilegje. Basha i di dhe i njeh shumë mirë nga 2013- a e këtej. Burojnë nga bashkëpunimi i dukshëm ose jo me mazhorancën. Përfiton një grusht i vogël njerëzish në opozitë, por shumica e demokratëve vazhdojnë të jenë larg pushtetit. Por Bashës nuk i bëhet vonë. Pikërisht për këtë arsye, ai paraqitet sërish në garën për kryetar të PD- së. Përballë Gjergj Hanit, të cilin teorikisht, e ka shumë të lehtë ta mundë.
PD- ja, kjo pjesë e saj, me shumë mundësi do të jetë opozitë edhe pas 2025- ës. Në kushtet aktuale, do të marrë me vete edhe pjesën tjetër të opozitës, sot “Bashkë Fitojmë”. Këtë a thua e parashikojnë demokratët?! /Nga Blerti DELIJA/