Nga Blerti DELIJA
“Do t’ ju hapë rrugë kalamajve”, me këto fjalë, papritur dhe papandehur, kryeministri Edi Rama njoftoi daljen jashtë politikës aktive të Vasilika Hysit, një nga figurat kryesore të PS- së në 10 vitet e fundit. “Mandatën” Edi Rama ia lexoi “live”, pak ditë para festës së 8 Marsit. Hysi, e lindur dhe e rritur në Tiranë, është e ditëlindjes 13.01.1963. Pavarësisht se nuk ësht e hijshme të përmendet apo të flitet për moshën e një zonje (sepse ato nuk kanë moshë!), 58 vite mbi shpinë nuk mund të jenë ngarkesë e vogël, edhe pse në dukje të paktën, Hysi i mban mjaft mirë.
E ndoshta kishte ardhur koha që “gjyshe” Vasilika (sepse kështu duket e konsideron Rama, edhe pse nuk e dimë nëse vertetë është bërë gjyshe), të hapte krahun për kalamajtë, siç ia imponoi kryeministri i 8 viteve të fundit Edi Rama. Jo pak kush mendoi se Edi Rama ishte duke përgatitur lëvizjen e papritur të radhës, siç në jo pak raste, ka qenë i paparashikueshëm. U mendua se sfida e tij do të shkonte deri në atë pikë sa të vendoste rekord në Shqipëri: Të vendosje në lista një 17 – vjeçar, i cili në minutat e para të 25 prillit, të arrinte moshën madhore për të zgjedhë e për tu zgjedhur.
Por jo, surpriza e kësaj here, ishte edhe më e paimagjinueshme. “Gjyshe” Vasilikën, vendosi ta zëvendësojë me “stërgjyshe” Luljeta Bozo. Nuk është shaka, është vertetë stërgjyshe zonja e nderuar Bozo, e cila u bë veçanarisht publike gjatë ditëve të vështira që pasuan termetin e 26 nëntorit 2019. Zonja Bozo ka lindur në Tiranë, më 2 tetor 1942. Mosha e saj kalendarike është 79 vjeç, duke i uruar me gjithë shpirt jo vetëm zonjës por të gjithë bashkëmoshatarëve, të kalojnë 100 vitet!
Kështu, Edi Rama largoi Vasilika Hysin 58 vjeçare për ti hapur rrugën një “kalamani” 79 vjeçar! Sa për të krijuar një ide, kur Vasilika erdhi në këtë botë, Luljeta ishte gati në përfundim të arsimit të lartë, një zonjë e pjekur dhe ndoshta edhe nënë. Sepse i bie që në mes dy zonjave, janë mëse 20 vite diferencë.
Zonja Bozo nuk ka asnjë faj se Edi Rama e kërkoi të bëhej pjesë e skuadrës së tij. Sigurisht, nuk ka faj as që i zuri vendin një zonje tjetër, 21 vjet më të re, të cilës iu sugjerua ti hapë krahun kalamajave. Natyrisht, jo vetëm nuk ka faj por duhet të ndjehet krenare që kryeministri i këtij vendi e konsideron kalama, edhe pse mbi supe mban shumë mirë e me dinjitet gati 8 dekada.
E si mund të konsiderohet kjo “gjetje” e këtij kryeministri, në prag të 8 Marsit?! Brenda harkut të më pak se 24 orëve dhe duke linçuar e promovuar publikisht?! Nuk i vihet emër tjetër veçse tallje me gratë e vajzat si dhe recitivizëm i njohur tashmë i Edi Ramës. Sepse Edi Rama, me pushtetin e pamatë që ka, mund të largojë këdo, edhe një vajzë akoma të palindur apo në shpërgënj. Mund të nisë në shtëpi (jo të hedhë nga ballkoni) çdo grua të kësaj toke, sepse vetë ia kemi dhënë këtë “fuqi”. Por nuk duhet ta guxojë ta bëjë vetëm disa ditë para Festës së Gruas e sidomos, pas perbetimeve publike si mbrojtës i mbështetës i madh i grave dhe i vajzave të këtij vendi.
E nëse zonja Hysi apo edhe gra të tjera brenda PS- Rilindjes për shumë arsye nuk mund të flasin, të paktën zonjat e tjera shqiptare, duhet të ngrejnë zërin. E nëse nuk mund ta bëjnë këtë për një arsye apo tjetër, në “dhomën e fshehtë” me 25 prill mund ta bëjnë… Sepse për këtë model, për këtë qasje, nuk ka nevojë asnjë vend. Aq më pak Shqipëria jonë e drobitur dhe me gratë e vajzat akoma jo në pozicionet që meritojnë!
PËR KOHË E LIRË, ARGËTIMIN TUAJ, MBI 6 ORË HUMOR I ZGJEDHUR PËR KËNAQËSINË TUAJ! JEPI “PLAY” DHE SHIJO!