Ky këshill bashkiak që nisi sot mandatin 4- vjeçar, ka një risi besoj absolute. Pjesë e tij janë 4 përfaqësues të mediave vendore, më saktë 3 gazetare dhe një drejtues i njërës nga mediat në Bashkinë e Shkodrës.
Kolegët gazetare janë: Eliona Kodra Shkreli, Alma Mehmetaj dhe Erlinda Doda Kavaja. Drejtues i mediave, anëtar i këshillit bashkiak, madje edhe i këshillit të qarkut bashkë me Lida Doda Kavaja, është edhe Edmond Ndou.
Besoj se është lajm i mirë. Pikë së pari, për shkak të profesionit prej shumë vitesh, të katër janë dhe do të jenë burim informacioni nga territori. Veç kësaj, shpresoj të jenë zëdhënës të opinionin publik, madje edhe para se të jenë të forcës politike që përfaqësojnë në këshill.
Nga ana tjetër, besoj se niveli i aktivizimit të tyre përmes fjalime- diskutimeve, do të dallojë nga të tjerët pasi shpresoj se do të ndërthuret me daljet e tyre në terren për të njohur konkretisht problematikat.
Këta 4 kolegë, kanë mekanizmin për të treguar se gazetarët, njerëzit e medias, kanë aftësinë të jenë edhe pjesë e përgjegjshme e vendimmarrjes, pikërisht duke u bazuar në eksperiencat e tyre. Mbase, do të jenë një ogur i mir që vit pas viti, në institucionet e vendimmarrjes, të ketë përherë e më shumë njerëz të medias.
Sigurisht, nëse duan, kanë në dorë edhe një mision tjetër. Pavarësisht se biznese private, të paktën nga 1997- a, mediat vendore i sherbejnë Shkodrës. Kush më shumë e kush më pak, këtë kontribut e kanë të prekshëm. Nuk duhet harruar se edhe ulja në karriget e vendimmarrjes sot, është edhe për shkak të punës në këto media.
Po ashtu, këta këshilltarë, njohin në detaje problematikat e shumta të mediave, të cilat besoj se qeverisja vendore ka menakizna për ti minimizuar apo zbutur. Jam i bindur se do të kenë ndjeshmëri, së paku për të organizuar takime me drejtues të mediave me qeveritarët vendorë. Nga tryezat, patjetër që mund të krijohen alternativa të përbashkëta në interesin reciprok.
E së fundi, jam i bindur se ka ardhur koha që mediat me qendër në Bashkinë e Shkodrës, të marrin një vlerësim. Janë me qindra individët që mbase edhe pa e merituar, kanë marrë ndër vite tituj. Besoj se mediat e Shkodrës e meritojnë prej vitesh dhe nuk ka kosto për Bashkinë dhe qeverisjen vendore.
Në mbyllje, u uroj suksese, me shpresën se do ta shfrytëzojnë më së miri hapësirën që kanë në dispozicion për sa më sipër por edhe tema të tjera. Ju priftë e mbara kolegë, uroj të na bëni krenarë! /Nga Blerti DELIJA/