Prej vitesh tashmë, “21 janari” po ngjan përherë e më shumë me “9 janarin”. Në të njëjtin muaj por në vite të ndryshme, 2011 dhe 2004, këto ngjarje bashkohen nga fati i njëjtë: Konsiderohen sot e kësaj dite të pazbardhura nga familjarët por jo vetëm! Në 2011- ën u vranë nga shteti në mes të kryeqytetit 4 persona, në 2004- ën u vranë nga neglizhenca dhe mosverpimi i shtetit 28 persona, pjesa më e madhe nga rajoni i Shkodrës.
Vit pas viti familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi. Me të njëjtën frekuencë, sidomos në prag zgjedhjesh, premtohet zbardhje e këtyre ngjarjeve tragjike që shënjuan jetët e shumë shqiptarëve. Ndërsa për “9 janarin” e Otrantos duket se shpresat janë të pakta edhe për shkak të parashkrimit të veprave penale, për “21 janarin” ka akoma mundësi reale të zbardhet.
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, opozita e asaj kohe, sot në vitin e 10- të në pushtet pa ndërprerje, nxitoi të fajësojë qeverinë Berisha. Jo vetëm kaq. Më shumë se njëherë u premtua që ngjarja do të zbardhej sapo PS- ja të vinte në pushtet. Të paktën në prag të zgjedhjeve të 2013- ës, premtimi ishte edhe për zbardhjen e ngjarjes së “9 janarit”.
Sot, u përsërit i njëjti ritual. Lule dhe qirinj në vendin ku u vranë 4 shqiptarë me 21 janar 2011. Deri para pak vitesh, familjarë të viktimave të “9 janarit”, bënin të njëjtin ritual por duke hedhur lule në ujin e detit në Vlorë. Me shumë mundësi, edhe “21 janari” do të ketë gradualisht fatin e “9 janarit”. Me gjasë, afatet do të parashkruhen dhe pas do të mbetet vetëm dhimbja e familjarëve të viktimave.
Përdorimi politik i fatkeqësive të shqiptarëve, nuk ka ndodhur për herë të parë e me shumë mundësi, do të vazhdojë si refren i pandalshëm. Me siguri, edhe familjarët e viktimave të “9 janarit” por edhe “21 janarit”, e kanë kuptuar. Megjithatë, vazhdojnë të shpresojnë në ndërgjegjësimin e klasës sonë politike. Të të gjithë krahëve të mundshëm.
Është një proces thuajse i pamundur, vështirë të ndodhë ndonjëherë por përtej kësaj, shpresa vdes e fundit. Sidomos në një vend si Shqipëria, ku vetëm shpresa mban akoma brenda kufinjve disa qindramijë banorë pa ndjekur shembullin e miliona të tjerëve që e braktisën duke nisur nga viti 1990- ë e në vijim. /Nga Blerti DELIJA/