Sali Berisha nuk është shfaqur aspak si një person nën hetim, i cili rrezikon disa vite burg, nëse shpallet fajtor nga gjykatat shqiptare. Me gjuhën e artit, ai është shfaqur sot si një “super star”, pamje që do t’ia kishin zili yjet e kinematografisë e muzikës edhe nëpër botë sepse në Shqipëri, prej kohësh i ka lënë pas.
Si një person nën hetim, në arrest shtëpie prej disa kohësh, ai duhej të shoqërohej drejt zyrave të SPAK nga mjete të Policisë së Shtetit. Në fakt, ai jo vetëm ka dalë me makinën e tij luksoze, i rrethuar nga shumë truproja por edhe ka folur lirshëm për mediat, takuar me mbështetësit e tij para shtëpisë e para SPAK- ut, ndërsa policia as nuk ka guxuar ta shoqërojë si një person me masë sigurie “arrest shtëpie”.
Sigurisht, Sali Berisha është përbetuar të respektojë Kushtetutën, ligjet e vendit duke pranuar me pa të drejtë, sipas tij, arrestin në shtëpi. Sot, të gjitha i bëri copë e çikë, thërrime, me paraqitjen e tij madhështore si “super star” kinemaje apo muzike. As në fushata elektorale Berisha nuk ka patur qasjen që ka patur sot, imazhin triumfator që ka përcjellë sot.
Nga i akuzuar, nën hetim për një aferë korrupsioni me vlerë miliona euro, ai u kthye në akuzues, prokuror e gjykatës, pa kursyer askënd majtas e djathtas, me shpatën e gjuhës së tij që sot ishte zhveshur. Madje, nuk kurseu as SPAK- un e as spakistët, ata që e vendosën në “arrest shtëpie”. Sot Berisha tregoi se nuk ka nevojë për imunitet, nuk ka nevojë për asgjë që të jetë ai që është. Dhe që e njohim të gjithë.
E në fund, disa pyetje normale, në një vend normal, që mund, themi mund, të konsiderohet deri diku edhe Shqipëria. Çfarë është ai arrest shtëpie që ka zëvendësuar takimet e ngushta në selinë blu të Berishës me mitingun e përnatshëm poshtë banesës së tij? Cila është Policia e Shtetit që as nuk guxoi ta shoqërojë në distancë si një person me masë sigurie “arrest me burg”? Çfarë kuptimi ka që SPAK, GJKKO, dreqi e i biri të vijojnë farsën e “arrestit në shtëpi” apo “hetim” e “gjykim” më vonë? A do të guxonte një qytetar i thjeshtë të bënte çerekun e show-t që bëri sot në sytë e të gjithë shqiptarëve “live” Sali Berisha?
Sot praktikisht, masa e “arrest në shtëpi” për Berishën ra. Sa të bëhen qesharakë më shumë se deri tani, SPAK, GJKKO apo Apeli i saj, të revokonin masën e sigurisë ndaj tij. Me iniciativë ose pas kerkesës më të parë të avokatëve të Sali Berishës. Hetojeni të lirë dhe në fund, siç ndodh këto 33 vite me VIP- at, shpalleni të pafajshëm ose pezulloni hetimet.
Më herët, do të duhet që ndonjë lloj- soj drejtori i Policisë, ndonjë drejtues prokurorie në SPAK apo gjetkë, ndonjë gjyqtar i GJKKO, anëtar i KLGJ apo KLP, ndonjë ministër drejtësie apo pak më poshtë, të japë dorëheqjen. Vetëm shtet, nuk mund të konsiderohet ai që u shfaq sot. Tallava- shtet, mbase është përcaktimi më i saktë.
Ky shtet, sidomos ky që u pa sot nga të gjithë shqiptarët “live”, është më shumë se grotesk. Sidomos kur kujtohesh për fakir- fukarenj që janë në burg për një “kovë” drita të vjedhur, për dy cigare hashash në xhep apo për drejtim mjeti në gjendje të dehur. A mund të ketë një shtet më te dehur se i sotmi, për të mos thonë…i droguar! /Nga Blerti DELIJA/