“Deputeti që duam” është gjetja e radhës propogandistike e Rilindjes. As më pak e as më shumë se “Policia që duam”, “Shendetësia që duam”, “Bashkia që duam” e kështu pambarimisht. Një makineri gjigande e propagandës, tashmë e fuqizuar ndjeshëm edhe në nivel vendor me 60 bashkitë që sundon totalisht, vazhdon të prodhojë “opium për popullin”.
“Deputeti që duam” është fasada. Në parlamentin e ardhshëm është menduar tanimë se kush do të jetë. Po sigurisht, është menduar edhe për disa që vijnë si “propozime nga qytetarët”. Shumë video të vetëofrimit si kandidat, qarkullojnë në rrjete sociale por ata që do të jenë në listat e 25 Prillit, e dinë që sot. Sepse specialistët e PR- it, sapo Partia Demokratike nisi hapjen përmes lirisë së propozimit të emrave nga çdo antar i strukturave të veta, u mendua kundër lëvizja. “Tek Rilindja, mund të vetëofrohet kushdo, pjesë ose jo e saj”, ishte qëllimi që justifikonte mjetin e përdorur.
Të thuash se shqiptarët gënjehen pas fasadës apo më keq akoma, “e hanë sapunin për djath”, është e rëndë. Por në fakt, të paktën nga 2013- a e këtej, kështu ka ndodhur. Frika apo rreziku është që kështu të vazhdojë…
Të lodhur shpirtësisht e ekonomikisht më shumë se 8 vite më parë, më pak brenda kufinjëve shtetërorë se 8 vite më parë, më shumë korrupsion në zyrat e shtetit se kurrë më parë, më shumë lidhje me “botën e errët” që nga 1990- a, në qiell të hapur pas tërmetit edhe pse iu premtua se për një vit do të kenë mbi kokë çatitë e shtëpive të reja, thuajse në mëshirë të fatit në përballjen me pandeminë e parandalimin përmes vaksinave, nuk ka një përceptim të dukshëm se qasja e shqiptarëve ndaj Rilindjes, do të jetë ndryshe nga këto 8 vite.
Ka një aksiomë në politikë se “popullin nuk gabon kurrë me zgjedhjet e tij”. Por në Shqipëri, fjala “popull” nuk është e njëjtë në kuptim me atë të vendeve të përparuara. Lufta më e madhe e këtyre 30 viteve, vazhdon të jetë ajo për bukën spo siç kamuflohet, për mbijetesën. E kur flasim për mbijetesë, kemi parasysh ata që kanë disa të ardhura nga puna në privat apo shtet. Qytetarë me ndihmë ekonomike apo edhe ata që punojnë “me ditë”, as që kapen nga radari.
E pikërisht, këtu duket se nis “loja”. Kjo kategori, janë kontingjent e fenomenit të mirënjohur “një thes miell për një apo disa vota familjare”. Natyrisht, thesi mund të konvertohet edhe në të holla, lekë, euro apo dollarë. “Paraja nuk ka asnjë vlerë”, është batuta e njohur e një filmi shqiptar dhe duket se ashtu është. Nga Italia edhe orët e fundit vijnë lajme për 20% të premtuara apo të paguara për të nisur bisnese në Shqipëri Ndrangheta, ndërsa sipërfaqet e gjelbra me “mall të zgjedhur”, vazhdojnë të lulëzojnë. E kështu, “paraja letër” është një tjetër instrument në funksion të qëllimit.
Ata që mbeten ndër ne shqiptarët, janë rrogëtarë të shtetit të madh apo të 60 bashkive njëngjyrëshe nga 30 qershori 2019. Në fakt, kjo është një analizë shumë sempliciste (e thjeshtë) për tu marrë për bazë thellësisht. Edhe pse këto 8 vite, kanë treguar se gati- gati, kjo mënyrë funksionimi po kthehet në rregull.
Sot, Rilindja dhe Edi Rama kërkojnë sërish timonin të vetëm. E kërkojnë në emër të “bashkëqeverisjes” me qytetarët. Në njërën anë janë të gjitha subjektet politike të Shqipërisë, ato pro apo kundër edhe LSI- së, PD- së por që shohin si të keqen më të madhe pikërisht qeverisjen aktuale. Në krahun tjetër, është Rilindja që këto 8 vite ka qëndruar në këmbë më së shumti me makijazh të kuruar me kujdes nga media tradicionale e të reja, faqe e profile të pamunërta në rrjete sociale, duke mbushur me opium mendjet e shqiptarëve.
Përtej përkatësisë, dëshirës apo tifozllëkut politiko- partiak të gjithësecilit, ndoshta para së të vendosim për votën me 25 Prill, është mirë të pyesim veten: Jemi më mirë apo më keq se në 2017- ën, kur Rilindja e mori e vetme drejtimin e sharabajkës me emrin Shqipëri?! Kjo për të qenë rehat me ndërgjegjen tonë por edhe që nesër të kemi një justifikim me fëmijët e nipat tanë! /Shënim i ShkodraWeb Media/