“Hëngshin kokat e tyre…”, është shprehja që më vjen ndërmend sa herë dëgjoj apo raportoj për ngjarje si ajo e orës 20:10 mbrëmjen e sotme në Shkodër. Sonte Vllaznia fitoi me Kastriotin për Supërligën dhe “Rruga e Gjanë” siç njihet në Shkodër, me gjasë ka qenë e mbushur me tifozë që dalin nga stadiumi “Loro Boriçi”. Ndokush ka nxituar drejt shtëpisë e dikush tjetër edhe për të festuar me një kafe apo gotë birrë siç ndodh me çdo tifoz tjetër në botë.
Rrjetet sociale e mediat tradicionale, u mbushën me raportime. Fillimisht të shtëna, më pas të plagosur e në fund një viktimë. Pikërisht në “Rrugën e Gjanë”, shumë afër stadiumit “Loro Boriçi” ku ekipi i zemrës i shkodranëve solli gëzim me fitoren e tij. Është një i ri, vetëm 19 vjeç viktima, fatkeqësisht e radhës dhe jo e fundit, në një qytet të tromaksur deri në pengmarrje si Shkodra. Frymëmarrja mbahet. Nisin telefonatat. Çdokush kërkon të mësojë emrin e viktimës, me shpresën se nuk është i afërm e as i njohur.
Pak qindra metra nga vendgjarja e kobshme, gjendet një motor që digjej. Edhe një pistoletë. Policia thotë se dyshohet se janë përdorur nga autorët e ngjarjes së rëndë. Duket si një “deja vu”. sepse kështu është në të vertetë. Në Shkodër por edhe përtej saj. Në mbarë Shqipërinë. Situata po kthehet në të padurueshme. Kjo “luftë” e çmendur po e kthen Shkodrën në të pajetueshme. Tani nuk po ikin thjesht dhe vetëm nga kushtet e vështira të jetës. Po ikin për të garantuar jetën, kokën.
Të gjithë nxitojnë të gjejnë lidhje, deri edhe justifikime për ngjarjen e rëndë. Sillen në mendje emra e mbiemra, ngjarje që në marrinë tonë kolektive, mund të “justifikojnë” makabritetin e radhës. Mediat e portalet hapin arkivat. Rrëmojnë për të gjetur ngjarje të kaluara që mund të lidhen me të sotmen. E të gjithë, të gjithë bashkë, harrojmë më të rëndësishme, jetën e një njeriu, një të riu, vetëm 19 vjeç. Po kthehemi në rapotues, në statisticienë humbjesh të jetëve njerëzore. Jo vetëm gazetarët, të gjithë ne, shkodranë e shqiptarë.
Italia, vendi ynë fqinj të cilit jo radhë i referohemi, shumë më i zhvilluar dhe më i fuqishëm se ne në çdo aspekt, u detyrua që krimit ti vërë përballë ushtrinë. Policia dhe sherbimet e tjera, nuk ia dolën. Në përballjen me krimin u vranë qindra, ndoshta mijëra “sherbëtorë të shtetit”, në nivele nga më të lartat deri tek më të ultat. Por përsëri zgjidhja në një situatë të pazakontë, ishte dhe duhej të ishte e pazakontë.
Dje, kryetemë e ditëve tona ishte energjia elektrike, rritja e çmimit të karburanteve, pasiguria ekonomike. Sot dhe të paktën për tre ditë (sepse kaq zgjat “çudia” në këtë vend), diskutojmë për (pa)sigurinë e jetës, të lëvizjes në rrugët e qytetit, të së ardhmes së (pa)sigurtë. E përballë nesh, janë ata që jetën e kanë jo vetëm të sigurtë por edhe si në përalla. Ata që ne i ngrejmë në piedestale, ku edhe po të duam, nuk i ulim dot. Shumë syresh madje e thonë edhe publikisht se “ngjarje të tilla, ndodhin kudo në botë, edhe në Amerikë”.
E teksa “Hëngshin kokat e tyre…” më sillet në mendje, më kujtohet një shprehje që e kam të fiksuar që nga viti 1995, e një pedagogu të ndjerë. “Asnjëherë nuk është vonë të ikësh nga ky vend”, më buçet në veshë kjo shprehje. Sepse tashmë jemi një komb emigrantësh. Ndryshe nga shumica e botës që është përballur me këtë fenomen, kërkojmë të largohemi për të siguruar kokën jo për të mbushur barkun me bukë. Pas nesh, këtu do vijnë bangladeshasit… /Nga Blerti DELIJA/