Kur e shoh Spiropalin të stërngrefur me pallto mijëra euroshe, që flet plot përbuzje për shoqërinë e revoltuar nga padrejtësia, më kujtohet diku nga viti 2007, kur së bashku me deputetë të PS dhe anëtarë të Mjaft, shkuam në Bulqizë, në varrimin e një minatori që jetonte në kushte të mjerueshme, në një zonë malore e të izoluar. Unë bëja një reportazh për programin tim, ndërsa këta të tjerët propagandë, premtime dhe mashtrime që nuk u mbajtën kurrë.
Elisa ishte anëtare e freskët e Mjaft asokohe dhe kurrë nuk do të ma kishte marrë mendja, se do të vinte një ditë e do të dëgjoja gojëdhëna me korrupsion mbi 5 milion dollarë për të, apo edhe më keq, gojëdhëna mbi viza të bardha e orgjira nëpër zyra shteti. Minatorët, sot që Elisa ka 7 vjet në pushtet, ende nuk kanë një status dhe gjëndja e tyre është edhe më e mjeruar.
Kur shoh Taulant Ballën, më kujtohet diku nga viti 2005, kur prezantoja në shesh koncertin përmbyllës të fushatës së Partisë Socialiste. Se si erdhi duke vrapuar, u ngjit në skenë, ma mori mikrofonin nga dora me vrull, faqekuqi plot emocion dhe lavderonte e lartësonte Fatos Nanon, si liderin më suprem të të gjitha kohërave. E pastaj, më kujtohet kur diku nga 2019, pasi i dolën fjalë për plagjaturën e doktoraturës, motra e tij, i publikon një vërtetim notash që dukej qartë si drita e diellit se ishte i falsifikuar. Një vërtetim qesharak, ku vitet shkollore ishin kryer brenda vetëm një viti dhe ku viti i katërt ishte i shkruajtur viti i gjashtë.
Ku Taulanti e nsite gjimnazin 18 vjeç, etj… Ai vërtetim qesharak, ishte një dokument qartësisht i pavërtetë dhe me pak kërkim në internet mund ta gjeni kudo. Taulanti, që gojëdhënat e përshkruajnë si njeri të lidhur me botën më të zezë të krimit e që gojëdhënat thonë se fle mbi miliona euro, që janë fituar si rezultat i korrupsionit dhe trafikut, në një shtet të drejtë, do të vazhdonte të këndonte këngë për Enver Hoxhën, duke punuar si çirak, arat e botës në Librazhd. Taulanti, del sot e përndjek të madh e të vogël, sa andej këndej, duke falsifikuar vazhdimisht të vërtetën e duke u endur si fantazëm pas pushtetit që ia vdiq shpresën, por i mbushi xhepin.
Kur profesorë doktorë të nderuar, që dikur përbënin strukturat drejtuese të PS, shohin fantazma të tilla, që vërtiten sa në një studio në tjetrën me shpejtësinë e erës, duke lartësuar padrejtësinë e duke përdhosur meritokracinë dhe parimet, me siguri pohojnë edhe ata kokëulur, se shpresa ka vdekur.
Po ne çfarë bëjmë gjallë është pyetja? Me siguri, fakti që në jemi akoma këtu, duke u përpjekur secili në mënyrat tona për të ringjallë shpresën, është një aksident si nga ato që vulos Kryeministri i shpresës së vdekur me VKM.
Vrasësit e shpresës i kemi çdo ditë në ekran, në parlament, në kabinet. Ringjallësit e saj ku janë? Janë duke mbledhur firma për statusin e minatorit. Janë duke protestuar për dorëheqjen e Drejtorit të Policisë antiligjore. Janë duke mbajtur gjallë ekonominë që qeverisja e Edi Ramës e shndërroi në gropë thithëse. Ama, kur hedhim sytë në të majtë e në të djathtë, na duket sikur jemi në mortin e shpresës, se shpresa ka vdekur dhe duhet ringjallë. /Nga Inida KREUZ/