Ne bëjmë shumë meme dhe batuta në FB, por ndërsa i shoh dhe e rishoh barbarët në aksion, të ngjashëm me gorillat (i ofendova shumë këta të fundit), mendoj që duhet marrë shumë më tepër seriozisht kjo ngjarje.
Që nga dekonspirimi i denoncuesve, e deri tek tallja e policisë me rastin. Dy orë vonesë për 4 km, thotë njëri nga të dëmtuarit. Gjithashtu dy komunikata të ndryshme të policisë, njëra përpara dhe tjetra pas videos së publikuar.
Me barbarët e kotë të merresh sepse ata njohin vetëm hunjtë që mbajnë në duar, por presioni i medias dhe opinionit publik, duhet shkarkuar i gjithi tek palo- policia e shtetit, e cila është e njëjtë në qasje dhe MOSveprim me policinë e një qyteze të rastësishme kriminale të Sinaloas.
Është e dhimbshme të shohesh një video të tillë, por është njëkohësisht fat i madh për ne që barbarët janë njëkohësisht edhe budallenj dhe e shpërndanë. Kështu ne pamë me sytë tonë se si funksionon Shqipëria e të fortëve, që nga veriu e deri në jug.
Një Shqipëri e cila është kthyer në një geto e madhe, ku dajaku me hunj është luks përballë tritolit dhe armëve që ky soj i mban në dorë siç mbajmë ne celularin.
Çdo shqiptar që ka djem për të rritur, gjëja e parë që bën kur sheh këto pamje, është të telefonojë të parin kushëri që ka jashtë. Sepse asnjë njeri me mend në kokë nuk është çmendur të rrisë fëmijët në Shqipërinë e Rrajajve, të cilët i hasim që nga lagjet e periferisë së Shkodrës e deri në katundet e Sarandës.
Por e gjitha kjo pak rëndësi ka për një lider vizionar që ka mision shpëtimin e Ballkanit nga Kosova. /Nga Taulant KOPLIKU, publikuar në Facebook/