Shqipëria nuk është vendi i gomoneve! Shqipëria është vendi i bukurive të rralla natyrore, i vajzave të bukura dhe djemve të pashëm, i studentëve që shkelqejnë në universitetet e botës, i emrave të njohur me famë botërore!
Është vendi i 39 Martirëve të besimit, i Inva Mulës, Saimir Stratit, Ermonela Jahos, Ilir Kerrnit, Kledi Kadiut, Armando Brojës, Igli Tares, Erkand Qerimajt, Luiza Gegës, Tedi Papavramit, etj., etj!
Shqipëria është vendi i fisnikëve, trimave, burrneshave, mikpritjes, besës, i vlerave dhe trashëgimisë se pasur kulturore!
Shqipëria nuk është ajo që shihni dhe promovoni ju, gazetarë të huaj! Shqipëria nuk është “Çunja e Londrës”, por ndër më të bukurit vend në botë! Sot Shqipëria është në mjerim, të rinjtë e të rejat largohen se nuk shohin shpresë, nuk shohin perspektivë e prosperitet sepse fatkeqësisht udhëhiqet nga shqiptarë që nuk duan Shqipërinë! Udhëhiqet nga ata që ia kanë vënë lakun në fyt dhe çdo ditë e më shumë e shtrëngojnë atë “lak” me vjedhjet e korrupsionin që ka kapur majat e skandaleve.
Por faj këtu keni edhe ju ndërkombëtarë, që e shihni Shqipërinë si vendi i gomoneve, por nuk shihni arsyet pse ikin shqiptarët, pse “mësyjne” dyert e vendeve tuaja në kërkim të jetës së mirë apo tokës së premtuar!
Përpara se të gjykoni shqiptarët, gjykoni arsyet dhe ata që kanë çuar Shqipërinë në këtë mjerim e shpopullim. Mbështetni popullin e jo qeverinë!
Nuk ka shqiptar që të do të largohet nga vendi i vet, nga familjarët e vet, nga trojet e pasuria që gëzojnë e trashëgojnë nga të parët e tyre! Nuk ka shqiptar që do të lërë nënën e babën me kokën pas!
Mos mbyllni sytë ndaj realitetit shqiptar të nderuar ndërkombëtarë, të nderuar gazetarë të huaj, të nderuar shtetas të huaj! Shqiptaret janë ata për të cilët ka folur historia, jo ata që sot ia ka ulur kryet qeveria!
Shqiptaret janë njerëz si ju, me ndjenja si ju, me dashuri për vendin e tyre, me ëndrra e dëshira si ju. Por ndryshe nga ju, udhëhiqet nga njerëz që “punojnë” për vete e jo për Shqipërinë dhe shqiptarët! /Nga Eliona KODRA SHKRELI, publikuar në Facebook/