Këto ditë, kryetemë e studiove televizive por edhe tavolinave të kafeneve, është publikimi i rrogave të rreth 700 mijë shqiptarëve në sektotin publik dhe privat. Gjykoj, me të drejtë, sepse po konstatojmë një realitet të frikshëm në mes mijëra eurove në muaj dhe 30.000 lekëve si rrogë standarte për pjesën dërrmuese të shqiptarëve. Është një hender, i cili tashmë mund të pohohet pa frikë, nuk do të mbushet në diferencimin e çmendur të të ardhurave mujore të familjeve shqiptare.
Një shoku im i hershëm, i viteve të universitetit që jeton prej mëse 25 viteve në Itali, nuk i besonte lajmeve që lexonte në portale dhe atyre të publikuara në mediat tradicionale, televizioneve. I shqetësuar më merr ne telefon dhe më thotë a e ke listën që ka dalë për rrogat, meqë je gazetar, “u justifikua” ai me kerkesën e tij. Ia dërgova, duke shpresuar se nuk do të penalizohem si shpërndarës i një liste, e cila përmante të dhënat personale të rreth 700 mijë shqiptarëve fatlumë. Fatlumë, pasi firmosin në një bordero dhe teorikisht, u paguhen edhe disa sigurime që, nëse arrijnë moshën, të marrin pak pension nga ky shtet.
Nuk vonojnë 10 minuta dhe flasin sërish në celular. “Kot ja fusin, kot e bajnë të madhe. E lexova listën. Më doli një gazetar me rrogë 1.200.000 lekë. Ose 1000 euro në Itali”. Qesha, po qesha fort. “Këtë shifër kishte të shkruar në listë “filani”?”, i thashë unë. “Po”, ma preu shkurt. Meqë ka shumë vite në Itali, këtë idenë “lekë të vjetra, lekë të reja”, nuk e kujtonte. Sepse në Itali e në botë, aq sa shkruhet mbi kartmonedhë apo monedhë, aq ka vlerë. “Janë 1.200.000 lekë të reja”, ia pres unë pa ndalur të qeshurën. “Që ta kuptosh ti, janë jo 1.000 por 10.000 euro rrogë mujore, por bruto. Duhet ti heqësh edhe disa taksa e sigurime”, e sqaroj unë.
Nga ana tjetër e telefonit, heshtje për disa sekonda. “A ike, a e mbylle celularin”, i them. “S’ ka mundësi”, ma pret shkurt. “Kërko prap, do të gjesh edhe rroga më të larta, edhe 200 mijë euro në muaj, 20 mijë, apo 30 mijë”, i them unë. “S’ ka mundësi”, vazhdonte refreni nga ana tjetër. E pashë që nuk i besonte zërit tim por as listës që kishte hapur në kompjuterin e tij dhe ia pres shkurt: “Flasim më vonë, se tash nuk kam mundësi”.
Të nesermen vazhdon përsëri dialogu telefonik. “Kaq nuk i kanë rogat as gazetarë lokalë këtu ku jetoj unë. Ndonjë i spikatur shumë, arrin në 5 mijë euro në muaj. Tek RAI dhe MEDIASET, janë shumë të rradhë gazetarët që paguhen 10- 15 mijë euro në muaj”, më thotë miku im. U përpoqa ta sqaroj sërish, por më bëri një pyetje që realisht më gozhdoi. “Mirë që kanë këto rroga, mirë që shteti dihet ku i merr paratë. Po privati, po shoqatat, ku i marrin gjithë këto para për këtë nivel rrogash?!”. Nuk dija si ti përgjigjesha. Futja në retorikë korrupsioni, rryshfeti apo edhe bashkëpunimi me “botën e errët” apo krimin, nuk do të kishte efekt. Do të duheshin orë që të mbushja boshllëkun e krijuar gjatë 25 viteve shkëputje nga realiteti shqiptar të mikut tim.
U detyrova që kthehesha pak në vite, bashkë me shokun tim, kur ishim studentë dhe sapo kishte nisur të lulëzonte kapitalizmi në këtë vend. “A të kujtohet në Shkodër “filani”, ai që shkonte jashtë shteti, Itali, Belgjikë, Zvicër për 2- 3 muaj, një vit dhe kur kthehej në Shqipëri, kishte makina luksoze, ndërtonte vila, lokale madhështore?”, u përpoqa ta rikthej pas në kohë. Me vështirësi, por ma pohoi rikthimin e kujtesës. “Po, e mbaj mend. Biles, kur e shihnim edhe i thonim “hallall ja baft’ Zoti, asht i shkathët”. Kanë qenë disa, se ishte problem puna e vizave për jashtë”, më shton.
“Po kur në Shkodrën tonë, bëhej ndonjë investim nga shteti, a të kujtohet çfarë shprehje përdornim aso kohe?!”, e pyes, i sigurtë për përgjigjen që do të më jepte. Miku im nga ana tjetër e telefonit nis e qesh, më përmend emrin e një titullari pushteti aso kohe në Shkodër dhe më përgjigjet: “Ka vjedh për vedi por edhe ka punu…, kështu thoshim”, më përgjigjet me të qeshura të mëdha. Kaq prisja nga ai. Edhe miku im e kuptoi “fabulën”. Ky është mentaliteti që fatkeqësisht, është mbizotërues në këtë vend. Kujtohemi, ndjehemi keq vetëm kur përballemi me lista si këto të ditëve të fundit. “Sa gjynah i shkreti”, është shprehja që përgjithësisht identifikojmë një person, i cili diçka minimale vetëm me krahët apo mendjen e tij. Nga kjo bisedë, flasim shpesh me mikun tim në Itali. Por asnjëherë për këtë punën e listave të rrogave të shqiptarëve. /Nga Blerti DELIJA/