Në vend të transparencës e planit konkret për përballimin e pandemisë dhe sigurimin e vaksinës anti covid-19, ofrohet vetëm propaganda, se paskemi një kryeministër shpëtimtar. E kur situata rëndohet, mes heshtjes së imponuar, lodhjes me mashtrime apo dorëzimit, se për shëndetin tënd duhet të paguash nga xhepi, pasi taksat e tua shkojnë për koncesione korruptive e jo shërbime, atëherë është koha për të kuptuar se zgjidhjen e kemi vetë në dorë.
Shifrat në rritje të të infektuarve e fataliteteve nga Covid-19, pa një rritje kapacitetesh përtej atyre modeste të kryeqytetit, shoqërohen me heshtje apo akoma më keq, me impenjim për shfaqje qesharake propagande, më të kushtueshme se 2 mijë vaksinat e siguruara në mënyrë sekrete. Covid-19 sprovoi edhe shtetet më të fuqishme në kapacitete, por askund nuk ka një model si rregjimi i Edi Ramës që shpenzimin kryesor e ka për fasadën e propagandës.
Qytetarët shqiptarë nuk meritojnë një qeverisje të tillë, që i braktis e i tall! Nuk meritojnë një kryeministër që në vend që të bëjë detyrën, i thur lavde vetes. Sa më të mëdha dështimet e skandalet, aq më shumë Edi Rama luan rolin e gaztorit. Shqiptarët meritojnë një qeveri e një kryeministër që kujdeset dhe e ka një plan konkret për ta. /Nga Bardh SPAHIA/