Me shfaqjen në këtë botë të virusit Covid- 19 dhe kthimit të tij një pandemi globale, lulëzuan edhe teoritë konspirative për një “Urdhër të Ri Botëror” që do të vendosej më ndihmën e lobit të farmacistëve dhe jo lobit të armatorëve, siç ishte mësuar njerëzimi deri atëherë. Angazhimi i disa prej miliarderëve më të njohur të botës, sidomos për të krijuar me shpejtësi një vaksinë e për ta përhapur gati me detyrim në të gjitha kontinentet e shtetet, i forcoi më shumë teoritë konspiracioniste.
Që bota drejtohej nga një “qeveri” mbi të gjitha qeveritë, ka tashmë shekuj që aludohet. Po pandemia duket se e nxorri disi zbuluar këtë organizëm misterioz, i cili në më pak se dy vite, unifikoi të gjitha shtetet e botës në procedura të njejta, zyrtarisht për ti shpëtuar Covid- 19. Mediat tradicionale dhe ato online, u pushtuan nga informacionet, të cilat më shumë se asgjë ngjallnin panik e frikë dhe krijuan psikozën kolektive. Liria njerëzore u ngushtua si kurrë më parë, me orare të kufizuara lëvizje, me mbajtje maskash, vaksinim të detyruar dhe pasaportë vaksinimi për të kaluar nga një shtet në tjetrin.
Besoj e keni vënë re, prej rreth 10 ditësh, si me magji, pandemia nuk ekziston më. Mediat thuajse e kanë përjashtuar nga kronikat e tyre. Fokusi është perqendruar tek pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Çfarë ndodhi që kështu papritur, u zhduk nga skena “aktori kryesor”, pandemia Covid- 19? Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, vendosi të shuajë pandeminë dhe efektet e saj mediatike. Me çdo kosto dhe menjëherë. Rruga më e shkurtër, nisja e pushtimit të Ukraninës, me gjasë vetëm një hap i parë. A thua jemi sërish në terrenin e teorive konspirative? Ndoshta.
Vladimir Putin kishte paralajmëruar, edhe pse liderë të rëndësishëm botërorë, iu afruan deri në 1o metër në anën tjetër të një tavoline të stërgjatë. më shumë se asgjë, një mesazh për ata që tentuan “Urdhrin e Ri Botëror” me pandeminë Covid- 19, që parimin kryesor kishte distancimin fizik të njeriut nga njeriu. E kështu, me 24 shkurt 2022, Putin urdhëroi nisjen e sulmit. Më herët, pa teklif, kishte paralamëruar të tjerët, mes të cilëve edhe NATO-n, të mos përzihej në këtë çeshtje. E deri tani, NATO, OKB dhe e gjithë bota janë thjesht dhe vetëm spektatorë. E vetmja lëvizje, janë sanksionet ekonomike, efekti i të cilave nuk është i shpejtë dhe mbase nuk do të ketë efekt. Për sa kohë Kina, India por edhe shumë aleatë të tjerë me popullsi gati gjysmën e njerëzimit, ia kanë lëny dyert hapur katërkapakësh.
Këto ditë, po rikthehen në vëmendje marrëveshje të fillim viteve ’90 për garanci që NATO, pas shpërbërjes së Traktatit të Varshavës dhe Bashkimit Sovjektik, i paskan dhënë Gorbaçovit por edhe presidentit Jelcin. Sipas këtyre marrëveshjeve, për të mës cënuar sigurinë e Rusisë, vendet e ish- Lindjes Komuniste, nuk duhej të angazhoheshin. Nga ana tjetër, diku rreth mesit të viteve ’90, Ukraina dorëzoi tek Rusia të gjithë trashëgiminë sovjetike të armatimit, mes të cilave edhe testatat përthamore. Kjo, në këmbim të sigurisë se nuk do të sulmohej asnjëherë nga Rusia, duke iu garantuar integriteti territorial.
Duket se pikërisht tek testatat bërthamore apo tek “butoni i kuq”, është edhe çeshtja e vertetë. Putin kërcënon prej ditësh se nëse do të ketë përzierje në luftën e tij për pushtimin e Ukrainës nga faktorë të jashtë, bota mund të përballet me armët bërthamore. Ato janë armë që nuk vrasin, një, 100 apo 10 mijë njerëz njëherësh. Efekti i tyre vë në diskutim ekzistencën e vetë njerëzimit. Më poshtë, mund të verifikoni vetë se çfarë mund ti ndodhë botës tonë nga rreth 12 mijë testata bërthamore, ku vetëm Rusia ka aktive 1447.
Shtypja e një butoni të kuq, mund të sjellë jo Luftën e Tretë Botërore por fundin e njerëzimit, bazuar në papërgjegjshmërinë e mllefet e mundshme të liderëve, sidomos në vendet ku fuqia e njëshit është e pakufizuar. Por nëse fundi i njerëzimit mund të jetë akoma larg (shpresojmë), pushtimi i Ukrainës nga Rusia krijon një precedent të rrezikshëm. Fuqitë bërthamore tashmë janë jashtë “Urdhrit të Vjetër Botëror” ekzistues. Ato mund të veprojnë, të pushtojnë dhe askush të mos marrë guximin ti kërcënojë, aq më pak ti vihet përballë ushtarakisht. Praktikisht, në bashkësinë e shteteve apo të kombeve, janë më të lirë se të tjerët për të vepruar. A mos vallë është ky “Urdhri i Ri Botëror” për të cilin flitej dhe që tashmë ka nisur të vendoset, i imponuar nga Vladimir Putin?! /Nga Blerti DELIJA/