Një foto e shumë viteve më parë, më ktheu në kujtesë njohjen me imzot Angelo Massafra, i cili tashmë është në prag të largimit nga Shkodra në përmbyllje të misionit të sij si arqipeshkëv metropolit i Arqidioqezës Shkodër- Pult pas gati 27 viteve shërbim. Siç është bërë e njohur tashmë, Ati i Shenjtë ka miratuar dorëheqjen e tij për shkak të plotësimit të limitit të moshës për të mbuluar këtë pozicion në Kishën Katolike në Shqipëri.
Vitet 1997- 1998, ishin ato kur u shfaqën mediat e para televizive private edhe në Shkodër. Kanë kaluar shumë vite por tashmë me ndihmën edhe të disa fotove, kujtesa rifreskohet. Ishte një sipërmarrje e vertetë për të transmetuar “live” një event. Mundësitë e parka teknike, linin vetëm një hapësirë për të realizuar qëllimin: Zhvendosjen e pultit të transemtimit (regjisë) nga studiot modeste të televizionit, në vendin ku do të realizohej transmetimi “live”.
Një nga më të preferuarat në atë kohë, ishte transmetimi direkt i meshës së shenjtë nga Katedralja e Shkodrës për Krishtlindje apo Pashkë. Aty janë edhe kontaktet e para me imzot Massafrën, diku nga viti 1997- 1998 kur sapo kishte ardhur në Shkodër pas shugurimit ipeshkëv nga Papa Gjon Pali i Dytë. Kujtoj kontaktet e para, edhe me “ndërmjetësimin” e Dom Lucjan Avgustinit (u prehtë në paqe), i cili përpiqej të bënte përkthyesin me arbëreshin Massafra por që sigurisht, shqipen nuk e njihte si sot.
Imzot Massafra habitej që thuajse të gjithë ne, stafi i Shkodra TV1, flisnim italisht si ai dhe buzëqeshte sepse tejkalonte një barrierë të rëndësishme në komunikim. Gjithmonë ishte i paqtë, i qeshur dhe shumë komunikues. Puna jonë më e vështirë, ishte vendosja e linkut për transmetim “live” në çatinë e Katedrales. Më pas, edhe gjetja e sinjalit me kullën në Tarabosh. Imzot Massafra jepte njëmijë porosi, vinte në dispozicionin tonë të gjithë njerëzit që kishte rrotull dhe priste me ankth po sa ne, uljen nga çatia dhe gjetjen e sinjalit.
E kështu, deri në fillimin e meshës së shenjtë, Katedralja e Shkodrës kthehej në Shkodra TV1, duke rifilluar transmetimin pas rreth 1 orë ndërprerje për teleshikuesit e shumtë në atë kohë. “Zgjidhni vendin më të përshtatshëm për aparaturat tuaja dhe për ju”, ishte refreni i përhershëm i imzot Massafrës, nuk kishte rëndësi nëse ne kërkonim një vend ku lejohej të kalonin apo akomodoheshin vetëm klerikët. “JU po na sherbeni ne por edhe të gjithë besimtarëve që nuk e kanë të mundur të vijnë në meshë”, shprehej Massafra, gjithmonë i buzëqeshur.
Asnjëherë nuk harronte të falenderonte Shkodra TV1 apo mediat e tjera për transmetimin “live” gjatë predikimit të tij, duke shtuar gjirhmonë se falë kësaj, edhe të pamundurit mund të ndiqnin direkt meshën nga shtëpitë. E pjesa më e bukur, kur përfundonte mesha e shenjtë. Vinte personalisht dhe na falenderonte, na uronte për punën e bërë. “A i mblodhët veglat…tani hajdeni të pijmë diçka bashkë sepse kemi festë”, na ftonte të gjithëve. Në shumicën e rasteve, për arsye të zhvendosjes së aparaturave drejt studiove të televizionit, e refuzonim por e kishim të pamundur të largoheshim pa trokitur gotat të paktën një herë.
Të nesermen, sërish falenderime në pritjen tradicionale të Krishtlindjes apo Pashkës. Përsëri, të gjithë gazetarë dhe kameramanë, trokisnim gotat në fund të ceremonisë. Asnjëherë nuk harronte qerasjet, vezët e Pashkëve për ne por edhe familjarët tanë.
Për shkak të profesionit, kam patur kontakte të shpeshta, intervista në studio apo në terren. Po ashtu, edhe biseda private dhe miqësore që më ndihmuan të krijoj një profil më të plotë për këtë njeri të zakonshëm por që në qenien e tij, ka edhe të jashtëzakonshme.
Sot, imzot Massafra po bëhet gati të largohet, mendoj vetëm fizikisht, nga Shkodra. Përmbyll një mision shumë të rëndësishëm, sidomos për klerin katolik. Me punën e përkushtimin e tij, arriti të ripërtërijë klerin katolik në Shqipëri me meshtarë shqiptarë që siç dihet, pas 1945- ës u masakrua nga regjimi komunist. Jam i bindur se ka vendosur baza të forta të vijimësisë së pafundme të Kishës Katolike në Shkodër por edhe në Shqipëri. Nga ana tjetër, ka patur ndikim shumë të rëndësishëm në zhvillimet pozitive në Shkodër e Shqipëri, gjithmonë në sherbim të së mirës dhe vlerave. Sidomos në vitet e para që pasuan “çmendurinë kolektive” të 1997- ës, bashkë me klerikë të tjerë, edhe të besimeve të tjera.
E për ta mbyllur, dua ti uroj imzot Ëngjëllit (siç i pëlqente shpesh Dom Lucjan Avgustinit ta prezantonte në publik) 75- vjetorin e lindjes, jetë të gjatë dhe vijim të sherbimit kudo të jetë pasi të largohet nga Shkodra. Tek ne, pavarësisht besimit të secilit, ka lënë gjurmë që nuk do të mund të fshihen. /Nga Blerti DELIJA/