Fatos Nano në fushatë për mandatin e tretë qeverisës të Edi Ramës. Kjo është sinteza e daljes së parë të ish- kryeministrit shqiptar pas 10 viteve. Me shpatë në dorë, nuk kurseu Berishën dhe Metën ndërsa glorifikoi Edi Ramën, që siç e pohoi vetë, është në rolin e këshilltarit të tij.
Nuk ishte një intervistë e lehtë për Fatos Nanon. Dukej qartë se ritmi i të folurit, nuk ishte ai i zakonshmi. Nano i para 10 viteve, nuk ishte ai i sotmi. Thuajse 69- vjeçar, Nano artikulonte me vështirësi, ngadalësi dhe me frymëmarrje që dëgjohej qartë e rënduar. Në mes buzëve të thara, si kurrë më parë, ngjitej një njollë e bardhë që akumulohej duke dalë nga goja.
Pas kësaj interviste, duhen bërë disa verifikime dhe jo vetëm në llogaritë bankake të ish- kryeministrit. Natyrisht, problemet me shëndetin konstatohen thjeshtë dhe jo domosdoshmërisht kanë lidhje me moshën.
Nano i 2021- it, ndryshon katëcipërisht nga ai i 2011- ës. Ai ka gëlltitur të gjitha akuzat monstruoze që nga goja e tij ka nxjerrë për Edi Ramën. Përveç shefit të tij, këshilltar i të cilit shfaqet, Nano nuk gjen asgjë pozitive në opozitë, as tek Berisha, as tek Meta.
LEXONI EDHE: OPINION – Misteret e një interviste të paralajmëruar të Fatos Nanos…
Si mjeshtër i rrallë, Fevziu injoron të përfshijë në pyetjet për Nanon personazhe kryesorë të politikës, rivalë direkt të Edi Ramës si Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Sepse natyrisht ka një skenar dhe përveç Nanos, pjesë duhet të jetë edhe Fevzoja.
Para daljes në këtë intervistë, nuk kishte dilema. Nano do të përdorte atë pak ndikim që mund ti ketë mbetur mbi socialistët e të majtët në favor apo kundër Edi Ramës. U kuptua qartë se ai foli si këshilltar i kryeministrit, për interesa që ai vetë i di por jo duke folur si “autoritet”, siç i pëlqente të vetëcilësohej përkrah Berishës për të detyruar Ramën të futej në zgjedhjet vendore të 2007- ës.
E si këshilltar, nuk mund të kritikojë apo të flasë keq për shefin e tij. Sonte u pa qartë se Fatos Nano është tjetërsuar. Për shkak të moshës, problemeve të mundshme shendetësore që mund të ketë (urojmë të jemi të gabuar!), për shkak të situatës financiare apo edhe për shkak të ndonjë premtimi si pasues i Ilir Metës në Presidencë, kjo mbetet të shihet. Sepse do të ishte njorim i madh për Fatos Nanon të kënaqej me një ndenjëse në parlament pas 25 Prillit 2021. Sigurisht është në të drejtën e tij, pavarësisht se hedh në erë një imazh të krijuar me shumë përpjekje e sakrifica në 30 vjet. /Nga Blerti DELIJA/