Humbja është pjesë e jetës dhe madje, është më e shpeshtë se antipodi i saj, fitorja. Përgjithësisht jeta e çdo individi, në përballje me përdishmërinë, shënjohet nga këto fenomene. Mund të ketë humbje e fitore të vogla, të padëmshme siç edhe fitore e humbje të mëdha që lënë gjurmë. Në institucione e sidomos në politikë, pasojat e humbjes apo fitores shumëfishohen.
Grupimet vullnetare të shtetasve, krijojnë partitë politike. Edhe pse në Shqipëri nuk ka ndodhur akoma, këta njerëz afrohen rreth një boshti ideologjik, botëkuptimor të përafërt. Në Shqipëria, nga 1990, kjo është thjeshtuar shumë. Interesi, ardhja në pushtet, është synimi i çdo force politike. Të ashtëquajturat “të mëdha”, synojnë ta arrijnë pushtetin të vetëm për ta gëzuar po të vetëm. E kur nuk u ecën me “numra”, hedhin sytë tek të tjerat, zakonisht me “numra” plotësues në varësi të ngritjes së mazhorancave qeverisëse.
Në çdo garë, brenda saj, në nivel lokal apo kombëtar, askush në një parti politike nuk e ka qejf humbjen. Kjo në këndvështrimin teorik sepse këto 31 vite kanë treguar individë që kanë hyrë në garë edhe për të humbur, në këmbim të përfitimeve “anësore” ose të padukshme. Pak a shumë, i njëjti koncept vlen edhe për partitë politike. Askush nuk ka dëshirë humbjen, opozitën. Ardhja në pushtet është motivimi i parë, kryesor e më i rëndësishëm për çdo antar partie që në ditën e parë të rnënies në opozitë.
Në mungesë të ideologjisë përbashkuese, pragmatizmi është mbizotërues në politikën tonë. Që do të thotë, nga antari më i thjeshtë e deri tek lideri më i laertë i një partie politike, e shohin ardhjen në pushtet si mundësi privilegjesh, të merituara e të pamerituara, në emër të meritave brenda radhëve të një partie politike. Kjo më evidente, në kushtet kur privatja nuk ofron kushte, mundësi e jetëgjatësi punësimi afatgjata.
Duket se përtej këtyre standarteve, është aktualisht Partia Demokratike. Është vlerë e padiskutueshme për vendin dhe demokracinë, por fatkeqësisht duhet se ka rënën nën sindromën e humbjes. Nga viti 2013, kjo forcë politike kalon nga humbja në humbje, në gara lokale e kombëtare, madje edhe të pjesshmet e ditëve të fundit. Pas çdo humbjeje flitet për reflektim, reformim, analizim por në fakt ajo është qartë nën sindromën e humbjes.
Edhe në vende të tjera, më të zhvilluara demokratikisht se Shqipëria, shumë parti politike kanë qëndruar për shumë vite larg pushtetit. Por edhe gjatë opozitarizmit të tyre, janë bërë përçapje, përpjekje që partia të reformohet realisht. Duke nisur nga lidershipi, janë larguar kryesisht përmes dorëheqjes kryetarë apo presidentë me peshë të rëndë në fatet e Europës e botës. Në Shqipëri, nuk njihet fenomeni i dorëheqjes, ndërsa kryetarët e të gjitha forcave politike, është shumë e vështirë të shkarkohen me votën e forumeve.
Arsyet janë të shumta, por më e rrezikshmja është status- quo- ja e humbjes, të mësuesit e “lëkurës” me të dhe të mosbërit përshtypje rrugëtimi nga hum bja në humbje me të njëjtin lidership. Pak a shumë, ngjason me “sindromën e Stokholmit”, kur i pangmarruri bie në dashuri me pengmarrësin. Edhe në PD duket se ka nisur e vijon e qetë dhe e plotë dashuria me humbjen.
Brenda PD- së, natyrisht përgjegjësia parësore është e Lulzim Bashës por jo më pak ka edhe Sali Berisha. Pavarësisht “mea culpa”- ve të tij të shumta, përgjegjësia e tij është e dorës së parë, mbase e njëvlefshme me atë të Bashës. Këto muajt e fundit, nga 9 shtatori e këtej, po tregojnë se forca e Berishës brenda PD- së është e jashtëzakonshme. E treguan edhe zgjedhjet e 6 marsit në 6 bashkitë e vendit. Berisha duhej të kishte ngritur zërin, të fliste publikisht që në humbjen e parë të Bashës. Në mos atë të vitit 2015, të paktën pas asaj të 2017- ës. Për të mos folur për 2019 e në vijim 2021. Me gjasë, nëse nuk do të pezullohej nga Grupi Parlamentar i PD- së me 9 shtator 2021, ai përsëri do të ishte ndër mbështetësit e kryetarit Basha.
Paradoksale, por në moshën 77- vjeçare, Berisha është e vetmja shpresë për unifikimin e PD- së, kompaktësimin e saj për ta afruar në garën për pushtetin. Askush brenda PD- së, nuk mund të fitojë garën për kryetar nëse ai kandidon. I mund të gjithë dhe arsyeja, mbase kërkon një analizë të hollësishme. Me barrën e “non grata” amerikane mbi kurriz, Berisha nuk është alternativa më e mirë e mundshme për ringritjen e Partisë Demokratike 29 vite nga ardhja e saj e parë në pushtet me 22 mars 1992.
Por nga ana tjetër, brenda PD- së nuk ka një të dytë që mund të përbashkojë dhe brenda një kohe të shkurtër këtë parti politike. Pak a shumë, si në reklamën e njohur: Berisha nuk është më i miri por më të mirë brenda PD- së sot nuk ka. Berisha sot ka vetëm një alternativë, e cila mbase do të mundësojë pas disa viteve, fillimin e krijimit të një lidershipi të rë brenda PD- së. Ai nuk duhet të investohetm, të identifikojë apo edhe të mbështesë vetëm një kandidat. Lulzim Basha është dështimi më spektakolar i këtij modeli.
Berisha duhet ti japë dorën të paktën 2 individëve njëkohësisht, duke u treguar mësues i njëjtë për të gjithë. Nëse do të ishin më shumë, edhe më mirë. Pas një periudhe të caktuar, ai duhet të mundësojë garë të pastër brenda këtyre figurave, një antar një votë për të zgjedhur kryetarin e ri. Në këtë moment, Berisha duhet të gjejë forcën të largohet nga të gjitha funksionet e PD- së, edhe si deputet i thjeshtë, për të nisur kështu krijimin e një shkolle lidershipi në radhët e demokratëve.
Një ditë, Berisha nuk do të jetë më por PD- ja është e duhet të jetë si një aset i rëndësishëm i vendit. Ky do të ishte sherbimi më i mirë i tij jo vetëm për PD- në por edhe për Shqipërinë. ndërkohë, zërave që shqetësohen për mungesën e zgjedhjeve në Partinë Socialiste të Edi ramës nga 2009, krahasimi nuk qëndron. Nga 2013- a dhe të paktën në 2025- ën, ai do ta mbajë PS- në në pushtet pa ndërprerje. A nuk është kjo që kërkojnë të gjitha partitë politike? Pse duhet të shqetësohen socialistët për mungesën e zgjedhjeve në PS? As PD dhe as demokratët nuk do të shqetësoheshin as shumë nëse do ishin në pushtet. Madje, as çarjet e muajve të fundit nuk do të ekzistonin nëse me 25 prill 2021 PD do kapte pushtetin. Sot Basha do të ishte kryeministër dhe të gjithë të lumtur pas tij. A nuk thamë se të gjitha subjektet politike punojnë për të ardhur në pushtet?! Dhe nuk ka asgjë të keqe. /Nga Blerti DELIJA/