E neveritshme kjo sjellja jote ndaj Shkodrëse jo vetëm, Edi Rama! Urdhëri politik për të proceduar përfaqësues të Partisë Demokratike të Shkodrës, se organizuan një marshim paqësor është tipik i rregjimit ku ka lindur, është edukuar dhe stërvitur Edi Rama.
Njëlloj si etërit e tij shpirtërorë në diktaturë, Edi Rama ka tmerr protestën, qoftë edhe kur i vjen qytetare, në formë marshimi! Në atë protestë Edi Rama, kishte edhe nga ata që kanë pas votuar për ty, e tani mezi presin të të largojnë! Sepse nuk është pakënaqësi, por REVOLTE, sepse në këto 7 vjet dështimi, premtimeve boshe, dhune e arrogance, po u kundërve edhe policinë, që paguhet me taksat e shqiptarëve si armë, edhe vdekjeprurëse. Kjo është e qartë në Shkodër si në cdo qytet të këtij vendi.
Skemat e sigurimit të shtetit që po përdor për të fajësuar PD-në e Shkodrës për aktet e dhunës që pasuan marshimin, Shkodra i ka parë para viteve 90 dhe ti thjesht po ia rikujton, se je i njëjti brumë e i njëjti model! Përfaqësuesit lokal dhe PD-ja e Shkodrës u distancua menjëherë nga aktet e dhunës ndaj selisë së PS e madje kërkoi menjëherë ndërhyrjen e policisë, që erdhi me shumë vonesë, sepse ty të duheshin pamjet e dhunës për të fajësuar demokratët! Këtë e di mirë edhe cdo socialist i ndershëm në Shkodër.
Sado skema të thurësh, e vërteta është kokëfortë: mashtrimet dhe propaganda jote 3 D nuk të funksionojnë më, megjithë pushtetin që ke grumbulluar. Neveria për ty po rritet me shpejtësi, jo vetëm në Shkodër, se këtë po e konstaton në cdo qytet të Shqipërisë. Janë të rinjtë të parët, brezi i teknologjisë, që as pyesin e as kanë frikë nga ty, se nuk ke me cfarë t’i shantazhosh e kërcënosh!
Prandaj provokimet e tua nuk funksionojnë as në Shkodër e askund. Je bërë qesharak në prodhimin e skemave infantile për të ndaluar në vitin 2020 të drejta bazike, sic është liria për të protestuar! Pikërisht në ditën kur urdhërove procedimet penale ndaj anëtarëve të PD-së në Shkodër, ne përkujtuam sesi 30 vjet më parë, ky qytet rrëzoi i pari bustin e diktatorit Enver Hoxha! Vërtetë mendon se me forcë do nënshtrosh këtë qytet? Endërr mjerane! /Nga Bardh SPAHIA/