Mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar të PD- së po zhvillohet sipas një skenari lehtësisht të identifikueshëm edhe pa qenë brenda në mbledhje. Lulzim Basha me ndihmën e besnikëve të tij të fundit Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi, po përpiqen ta vënë në zbatim, teksa pjesa dërrmuese e Grupit Parlamentar të PD- së, kërkojnë dorëheqjen e atij që vazhdojnë ta njohin si kryetar akoma.
Në mënyrë paradoksale, dorëheqja e Lulzim Bashës, kryesisht nga Alibeaj dhe Bardhi, po asociohet edhe me largimin e Berishës. Në fakt, jo vetëm Grupi Parlamentar por edhe Kryesia e Këshilli Kombëtar i asaj që quhet PD- zyrtare, e kanë përjashtuar me kohë Berishën, sipas tyre. Kryefjalë e mbledhjes së sotme, nuk është largimi përmes dorëheqjes i Bashës, por gjetja e një mekanizmi diabolik që kjo të mos ndodhë.
Pjesa e PD- së apo e “Foltores” është jo vetëm e pozicionuar qartas kundër Bashës, por ta tashmë ai është i shkarkuar nga Kuvendi Kombëtar dhe nga antarët me “një antar, një votë” me 18 dhjetor 2021. Për këtë pjesë të PD- së, Basha është thjeshtë një deputet, as më shumë e as më pak. Madje, PD- ja që ka mbledhur sot Grupin Parlamentar, ka përjashtuar apo pezulluar edhe deputetë e drejtues të tjerë që sot janë në anën e Berishës.
Pak a shumë, përmes Alibeajt dhe Bardhit, Basha po kushtëzon: Po nuk dha garanci Berisha se nuk do të jetë në PD dhe aq më shumë kandidat për kryetar, as unë nuk jap dorëheqje nga PD- ja! E pakuptimtë dhe mekanizëm djallëzor, për të vazhduar të qëndrojë aty ku është sot, të paktën për një pjesë minoritare të PD- së.
Basha sot është në mbledhjen e Grupit Parlamentar si humbës i radhës, këtë herë edhe në zgjedhje direkte përballë PD- së së Berishës me 6 mars. Ai nuk ka më asnjë argument që të kushtëzojë zgjedhjet e tij personale por duhet të hiqet menjëanë. Basha nuk mund të kushtozojë largimin e tij me moskandidimin e Berishës, sepse ky i fundit, me 6 mars 2022, ia doli të fitojë edhe mbi vetë logon, vulën dhe selinë që ka zotërim Lulzimi.
Nga ana tjetër, PD-ja nga 11 dhjetori, të cilin Basha nuk e njeh, ka statut tjetër, vulë tjetër dhe logo të re. Nuk ndodh askund në glob që humbësi ti vendosë kushte fituesit. E për interesat afatshkurtra apo afatgjata të PD- së, tashmë nuk mund të vendosë më as Basha, as Grupi Parlamentar dhe as ndonjë seli diplomatike. Do të vendorin vetë demokratët, aksionerët e vertetë të PD- së. Vetëm ata do të zgjedhin nëse e duan ose jo Berishën kryetar, natyrisht duke marrë përsipër edhe pasojat e mundshme të një vendimmarrje të tillë.
Burrëria e Bashës, nëse disponon ndonjë grimë akoma, është të japë dorëheqjen, të hapë garën në PD, të mundësojë kandidime të lira për këdo dhe në fund, ti bindet vendimit të demokratëve cilido qoftë ai. Nëse mendon se ka mbështetje, mund të iniciojë fraksionin e tij, të marrë përqindjen në institucionet e PD- së dhe të synojë të rimarrë partinë, nëse ia del, nga brenda.
Mekanizmi djallëzor për të kushtëzuar dorëheqjen e tij me moskandidimin e Berishës në zgjedhje për kryetar, vetëm rëndon pozitën e Bashës, vazhdon të mbajë në agoni opozitën, duke favorizuar Ramën për zgejdhjet e 2023- it por edhe 2025- ës. /Nga Blerti DELIJA/