Teksa vijon “beteja” për firma/formularët e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish- kryeministri Berisha me 11 dhjetor 2021, brenda PD- së janë kristalizuar dy linja të qarta. Basha dhe mbështetësit e tij publikë dhe jo, të cilët përfaqësojnë linjën zyrtare- institucionale si dhe, Berisha dhe mbështetësit e “Foltores” së tij që kërkojnë të ngjiten në majën e piramidës së PD- së duke u nisur nga baza e saj, antarësia.
Berisha çuditi jo pak mbështetës, kundërshtarë por edhe të paangazhuar në PD e politikë kur shpalli synimin e tij për tu rikthyer në drejtim të demokratëve. Çudia ishte edhe më e madhe kur ai paralajmëroi se do të jetë kryeministër i Shqipërisë. Në realitet, deklarimet e Berishës janë të kuptueshme. Ai është iniciatori i “Foltores” dhe çdo kandidat që do të hynte në garën e mundshme me 11 dhjetor apo më vonë, do ta kishte të pamundur të fitonte pa mbështetjen e Berishës. Kështu, që në krye të herës fituesi do të konsiderohej marionetë e tij. Automatikisht, kryetari i PD- së, sidomos kur ai është Berisha, është edhe kryeministër kur demokratët arrijnë pushtetin.
Në analizat e shumta që po bëhet nga 9 shtatori 2021 por edhe më herët, kritikohet jo pak fakti se pas 31 viteve, PD nuk ka mundur të krijojë një klasë të re, të qëndrueshme e karizmatike, e gatshme të futet në garën e radhës për kryetarin. Liderët nuk prodhohen po krijohen, më saktë vetëkrijohen. Me përjashtim të Berishës, i cili është dhe do të mbetet fenomen në politikën shqiptare (mbase edhe Rama pas disa viteve), askush nuk mundi të rivalizojë as Lulzim Bashën këto 8 vite. Asnjë figurë nuk u amplifikua mjaftueshëm sa për të krijuar një profil rivalizues për Bashën. Edhe zgjedhjet e fundit, ato të para tre muajve në PD, e konfirmuan atë.
Në një vështrim të shpejtë, konstaton lehtësisht se edhe ata që sot janë në krah të Berishës, në Kuvendin Kombëtar të fundit të PD- së, punuan fort që Basha të rizgjidhej. Pavarësisht se sot po anatemohet se ka qenë edhe mbështetja e Berishës (e padukshme), kjo e zvogëlon edhe më shumë çdo individ që sot është në krah të ish- kryeministrit. Një politikan i konsoliduar por edhe i mënçur, nuk mund dhe nuk duhet të mbështesë me sy mbyllur qoftë edhe liderin e ri që ka mbështetjen e paraardhësit. Realisht, në PD është krijuar ideja se nuk është dashur të prishet statusquo- ja e krijuar, pa tentuar rivalizimin e Bashës të paktën në media e publik. Kjo nuk ndodhi as edhe kur PD, për herë të tretë radhazi, mbeti në opozitë.
Sot, zgjedhja e demokratëve, atyre me të drejtë vote në Kuvendin Kombëtar apo të gjithë të tjerëve me parimin “një antar, një votë” në një referendum të mundshëm, është shumë e kufizuar, me gjuhën e lojrave të fatit, “me dytyrim, me përcaktim”. Ka vetëm dy alternativa: Basha ose Berisha! Në fakt, në këtë grupimin e dytë, pra mbështetësit e Berishës, mund të rreshtohet jo të paktë ata që nuk pëlqejnë aq shumë ish- kryeministrin, sa janë kundër Bashës.
Këto alternativa, pas 31 viteve jetë të PD- së, janë shumë pak. Rikthim nën drejtimin e themeluesit të partisë apo vazhdim në drejtimin 8 vjeçar të liderit të tij pasues. E meqë po është kryetemë çeshtja e firmave/formularëve për Kuvendin Kombëtar, është mirë të zhdavaritet diçka. Kuvendi Kombëtar nuk ka antarë të zgjedhur direkt si delegatë të tij. Për shkak të pozicioneve politike në degët e PD- së, rreth 7600 persona apo më shumë, janë delegatë. Kjo për të treguar se edhe po të duan, delegatët nuk mund të jenë sekret. Merret lista e drejtuesve sipas degëve, lexohet neni i Statutit dhe identifikohen të gjithë delegatët.
Meqë kanë kaluar pak muaj, vetëm 3 nga Kuvendi Kombëtar i fundit, nuk ka nevojë as për pajisje me mandate të reja delegatësh, përsa kohë në strukturat vendore të PD- së gjatë kësaj periudhe nuk ka patur zgjedhje. Mbetet që thjeshtë të verifikohen fizikisht ata që do të jenë pjesëmarrës në Kuvendin Kombëtar të thirrur me 11 dhjetor 2021. Përtej retorikave “e njohim, s’ e njohim Kuvendin”, një gjë është e sigurtë: As nuk do të ketë kryetar të shkarkuar dhe as kryetar të emëruar me 11 dhjetor 2021! /Nga Sokol N. SOKOLI/