Prej vitesh, opozita shqiptare është në një situatë aspak të mirë. Sidomos diçka më shumë se dy vitet e fundit, opozita ndodhet në një situatë katastrofike. E ndarë thuajse në mënyrë antagoniste, ajo nuk u bashkua as me 6 mars 2022 në zgjedhje të pjesshme në 5 bashki e as me 14 maj 2023 kur në lojë ishte fati i qeverisjes vendore në të gjithë vendin.
Në dy humbjet e fundit, e dyta e 14 majit më e rëndë sepse u humb bastioni 32 vjeçar i PD- së- Shkodra, përçarja u thellua duke lujatur me topin e fajit sa nga njëra anë tek tjetra. Duket se në këtë situatë, e humbur është PD- ja dhe e djathta në përgjithësi. Në fakt, janë shqiptarët, vlerat demokratike dhe të sistemit që frrekemi të ndërtojmë tash 33 vite.
Opozita është aset i rëndësishëm i qeverisjes, qoftë në nivel qendor, ashtu edhe vendor. Në jo pak raste, konsiderohet “qeverisja morale” e vendit apo edhe “qeveri hije”. Në Shqipëri, ky aset po shuhet ditë pas dite, po tkurret duke rrezikuar të jetë e padukshme. Në nivelin kombëtar nga 2013 dhe në qeverisjen vendore nga 2019- a, opozita po humbet dukshëm peshën e saj.
Mazhoranca, më saktë PS- ja, tashmë nuk ka nevojë për askënd që të fitojë zgjedhjet qendrore politike. Me gjasë, edhe në 2025- ën, me këtë opozitë që është sot, Edi Rama do të marrë edhe mandatin e katërt radhazi. Në nivelin lokal, pritet që të ketë një farë opozite të paktën në Shkodër. Ndryshe nga i gjithë vendi kur për shkak të bojkotit të PD- së, u humb i gjithë pushteti vendor nga e djathta, në Shkodër opozita ishte në qeverisje deri me 19 qershor 2023.
Gjasat janë që opozita në Shkodër, të jetë më e konsoliduar, më e fortë, më e shëndetshme pas qendrimit 32 vjeçar në pushtet të PD- së. Për hir të realitetit, Shkodra si jo shumë bashki të tjera, ka vuajtur mungesën e opozitës reale. Asnjëherë kryebashkiakët e djathtë deri me 14 maj 2023, nuk kanë patur probleme me opozitën. Madje as nga 2019- a deri në 2023- in kur i gjithë këshilli ishte i majtë dhe vetëm kryebashkiaku i PD- së. Kanë mbizotëruar interesat e vockla të individëve, të cilat kanë vënë në rresht gati- gati gjithë opozitën në këshillin bashkiak.
Po sot, si është situata? Këshilli i ri bashkiak dominohet nga PS+PSD me 30 mandate nga 51 në total. Shenjat e para janë se edhe ky këshill, do të shkojë në gjurmët e paraardhësit, aq më shumë kur opozita sot nuk ka as numrat real për “të bërë dëm” politik. Grupi “Bashkë Fitojmë” u përça që ditën e parë të konstituimit. Paraprakisht u fol për braktisje mbledhje pasi të bëhet betimi. Kështu u vendos në një mbledhje politike. Nga Tirana, kërcisnin telefonat që këshilltarët të mos braktisnin mbledhjen. Madje jo vetëm kaq, këshilltarët e “BF” qendruan në sallë e disa votuan. Për interesa të vockla që mbase do i sqarojmë një herë tjetër.
Opozita tjetër, më e vogël se “BF” në numra, 5 këshilltarët e PD- së, nuk qendruan deri në fund, duke dalë para se të niste votimi për anëtarët e Këshillit të Qarkut. Dy qendrime të ndryshme, përballë një kundërshtari të përbashkët, kjo ishte panorama e mbledhjes së parë dhe me gjasë, edhe në vijimësi.
Shqipëria dhe Shkodran kanë nevojë ulëritëse për opozitë. Jo thjeshtë për përfaqësim të ftohtë politik të një pjesë të qytetarëve, por edhe për të prodhuar alternativë. Qeverisja më e mirë në nivel qendror e vendor, ka nevojë për opozitë. Një rrugë tjetër, ndryshe për ti propozuar qytetarëve. Përndryshe, po rrezikojmë të futemi në qerthullin e një demokracie fiktive, vetëm me fasadë. Jo vetëm nuk i sherben askujt, por me kalimin e viteve, pasojat do të bëhen përherë e më të rënda për shqiptarët e shkodranët.
Opozita nuk duhet as për Sali Berishën, as për Lulzim Bashën, as për Edi Ramën, as për ndonjë emër tjetër politikani, udhëheqësi apo lideri. Opozita duhet për Shqipërinë, për shqiptarët. Mbi të gjitha për të parandaluar rrëshqitjen në vorbullën e një realiteti me të cilin, me dëshirën më të madhe, u ndamë me të, të gjithë, edhe vetë komunistët. Një vend që sa herë votohet, dihet se kush do të fitojë që para votimit e shpalljes së rezultateve, nuk është i denjë për familjen e BE- së. /Nga Blerti DELIJA/