“Jeta e njeriut mbrohet me ligj”. Kështu përcakton Neni 21 i ligjit themeltar të shtetit apo Kushtetuta e Shqipërisë. Nuk ka nevojë për asnjë interpretim. Pra, edhe nëse ke dëshirë t’ia heqësh jetën vetes, nuk të lejohet sepse jeta jote mbrohet me ligj. Kështu e thotë Kushtetuta e mbi të, për shqiptarët duhet të jetë vetëm Zoti.
Në mes mbledhjes së Grupit Parlamentar Socialist dhe mbledhjes së Grupit të Kryebashkiakëve Socialistë, një 65 vjeçar i dha fund jetës duke qenë në “duart e shtetit” që kishte marrë përsipër ta shëronte nga Covid- 19. Ironia tragjike e fatit është se ky person, nuk do të jetë në statistikat e pacientëve që ndërruan jetë nga pandemia, me apo pa sëmundje bashkëshoqëruese.
Burri u hodh nga kati i katërt i Sanatoriumit në Tiranë, në rrethana që duhet të sqarohen. Dhe prokuroria tashmë ka nisur një hetim. Edhe pse në fakt, duhet të kishte një përgjigje edhe për rastin e një të riu, i cili me 13 gusht pati të njëjtin fat të dhimbshëm. Natën që 65 vjeçari u hodh nga kati katër i Sanatoriumit, edhe disa të tjerë të shtruar aty, tentuan të bëjnë të njëjtën gjë. Fatmirësisht, u ndaluan në kohë. Burri nga Kruja, ashtu si edhe i riu nga Durrësi, nuk ishin në rrezik për jetën ngaa Covid-19. Madje, ata e kishin kaluar rrezikun dhe mbetej ta mbyllnin me fitore “betejën” me virusin.
Natën e mbrëmshme, pak pas ngjarjes së rëndë, u publikua edhe një bisedë që 65 vjeçari kishte bërë me një mik të tijin në celular. Për të folur pak minuta nga mjediset e Sanatoriumit, kishte paguar “diçka” dhe ai që ia kishte huazuar mjetin, i qëndronte mbi kokë. Gjatë bisedës shprehet i tronditur nga ajo që ka parë në këtë spital (pa e specifikuar) dhe shton se nuk do shtrohej kurrë nëse do ta dinte se çfarë po ndodhte aty.
I riu por edhe 65 vjeçari që i dhanë fund jetës duke u hedhur nga katet e larta të spitaleve ku kuroheshin për Covid-19, nuk kishin probleme ekonomike siç edhe nuk u rrezikohej jeta nga Covid-19. Tani doli në skenë depresioni. Ai është shkaku i këtyre vetëflijimeve. Të paktën, kështu u nxitua të paraqitej situata. Por edhe nëse depresioni i 65 vjeçarit është i vertetë, çfarë ka parë e dëgjuar në Sanatorium ai që pohoi se “nuk do shtrohej kurrë nëse do ta dinte se çfarë po ndodhte aty”?
Asnjë dyshim për vullnetin e mirë të mjekëve për të shpëtuar jetët nga Covid- 19. Asnjë dyshim as edhe për ndalimin e rreptë të komunikimit të pacientëve me të afërmit. Edhe pse në pamje të parë nuk duket shumë normale, të paktën me celular, është një zgjedhje deri diku e diktuar nga kushtet. Por mungesa e transparencës për atë që ndodh brenda spitaleve Covid-19 dhe mungesa e sigurisë për të ruajtur jetët e pacientëve edhe nga “depresioni”, janë ulëritëse. A nuk është edhe depresioni sëmundje, sidomos në mes shqiptarëve, edhe për shkak të pandemisë? A mos duhet shoqëruar si “bashkëshoqëruese” edhe kjo sëmundje në statistikat e jetëve të humbura nga Covid-19?!
Dy persona, dy shtetas shqiptarë, humbën jetën në duart e shtetit. Mos harroni, me veprime dhe mosveprime materializohen veprat penale. Sepse sidomos në “duart e tij”, shteti është i detyruar të garantojë 100% jetën e shtetasve të tij. Nuk ka, nuk mund të ketë dhe nuk duhet pranuar asnjë justifikim në këto rrethana. Këto dy jetë, duke shpresuar të mos ketë edhe të tjera të humbura në këtë mënyrë, janë akuzë e hapur për shtetin. Ministrja Manastirliu por edhe kryeministri Rama, nga mbrëmë dhe deri në gjetjen e vënien para përgjegjësisë të përgjegjësve, nuk duhet të merreshin me asgjë tjetër.
E fiton apo nuk e fiton mandatin e tretë, të paktën familjeve dhe të afërmëve të këtyre dy personave nuk u intereson. Ata dinë se tashmë kanë të dashurit e tyre që mungojnë dhe përgjegjësia është totalisht e shtetit. Dikush duhet të paguajë. Madje të paguajë shtrenjtë që raste të tilla të mos përsëriten më. Edhe nëse ke dëshirë t’ia heqësh vetes, të përfundosh jetën tënde, shteti e ka detyrim kushtetues të të pengojë. Aq më tepër kur je në “duart e tij”. Të shtrohesh apo të mos shtrohesh në spital për t’u kuruar nga Covid-19, kjo është çeshtja! /Nga Blerti DELIJA/