Pak kush ose askush e vë në dyshim se, nëse ka heronj në “luftën” me Covid- 19, ata janë mjekët, infermierët madje edhe sanitaret. Por edhe nëse nuk është vertetë kështu, historia na ka mësuar se çdo luftë ka nevojë për heronjtë e vetë. Për tu motivuar, edhe nëse nuk ka heronj, duhet ti shpikim, sajojmë.
E natyrisht, përveç “betimit të Hipokratit”, kryeministri Rama haptas dhe me të drejtë, i motivoi me paga dyfishe, madje duke ua përmendur publikisht në euro dhe jo ne lek shqiptar. Rrisku i përballjes dhe infektimit, ishte tepër i lartë dhe fatkeqësisht, në radhët e qytetarëve shqiptarë, ka edhe mjaft “bluza të bardha” në mes shqiptarëve që humbën betejën me Covid- 19. Nderim dhe respekt për të gjithë, edhe nëse nuk u infektuan në krye të detyrës!
“Nuk ka pyll pa derra” dhe pavarësisht se “pylli i mjekëve” është më pak i dendur se “pyjet” e profesionave të tjera, pa më të voglin dyshim ka edhe ai “derrat” e tij. Kjo vlen edhe për “pyllin e infermierëve”, “pyllin e sanitareve” etj. Sepse kështu është ndërtuar njerëzimi, kështu funksionin kjo dynja.
Nga viti 1990, kur mundëm të mendonim, të flisnim e të gjykonim pa frikë e me zë të lartë, nisur edhe nga eksperiencat personale, kështu ka qenë dhe fatkeqësisht do të jetë me çdo kategori. Duke nisur nga gazetarët e njerëzit e mediat, “togat e zeza”, “uniformat blu” e kudo tjetër, ka një pjesëz që në formimin individual, i ngjajnë hienave. Kur paraja, fitimi i lehtë kthehet në qëllim, nuk ka se si të ndodhë ndryshe.
Pas gati një viti “luftë” me “armikun e padukshëm”, maja e ajsbergut apo edhe “qelbi” i krijuar nga Covid- 19, doli në sipërfaqe edhe në Shqipëri. “Tirja” po kthehet në simbol negativ. Ajo po shihet nga të gjithë si “pjesa e errët” e sistemit të ngritur në këtë “luftë”. Një sanitare, një pastruese që mesa duket, ishte vetëm hallka e fundit e një sistemi hienash që përfitojnë edhe në përballje me pandeminë.
Nuk besoj sa ka aq naivë sa të besojnë me sy mbyllur se skema u ndërtua dhe u administrua nga Tirja. Sado e aftë, e shkathët, e mençur të ketë qenë, asgjë nuk e ka administruar e vetme. Kjo është e lehtë të kuptohet, edhe pa patur asnjë fakt, edhe nëse drejtësia e nis dhe e përfundon përgjegjësinë tek Tirja, askush me dy pare mend në kokë, nuk e beson.
Shqiptarët janë të varfër, ndoshta më të varfërit e Ballkanit apo Europës. Por nuk kanë kursyer e nuk kursejnë asgjë kur bie fjala për rrezikimin e shendetit. E pasi rryshfeti për mjekë, infermierë, sanitare madje edhe roje spitalesh ka ekzistuar në diktaturën e para 1990- ës, kur thuhej se të ikte koka, pas këtij viti “magjik” patjetër ai është zgjeruar. Edhe kur nuk na kërkojmë, në xhepin e bluzës së bardhë fusim vetë ndonjë kartmonedhë, sipas takatit financiar që kemi secili.
Kur je para rrezikut për jetën, kur vdekja sillet rrotull nga ekranet e televizioneve e deri tek shtretërit e spitaleve, të paguash para është gjëja më normale. Madje, edhe duke marrë borxh apo kredi në banka.
Të kërkosh para në një situatë të tillë, është e pamoralshme dhe në kufijtë ekstremë të kriminalitetit. Pavarësisht se “çdo berr varet nga këmbët e veta”, shembuj të tillë ndotin imazhin e “bluzave të bardha” dhe në përceptimin e përgjithshëm, vendosen në një rang me “togat e zeza”, shembulli i epërm i korrupsionit përgjatë 30 viteve të fundit.
Nuk mendoj se ka një vlerë të madhe që Tirja “të bëhet shembull” nga drejtësia. E rëndësishme është të dalë në dritë skema, të zbulohen 3-4 “katet” mbi Tirjen, mundësisht deri tek niveli më i lartë që ka marrë diçka nga “administrimi” i sanitares, “ka mbyllur sytë”, e ka “bekuar” apo më keq, e ka ndërtuar vetë sistemin e përfitimit financiar.
Nëse nuk nodh kështu, Tirja është vetëm “kocka” e radhës që i hidhet opinionit publik për ta shpërqendruar nga një apo disa çeshtje të tjera më të rënda. /Nga Blerti DELIJA/