Me cinizëm mund të quhet “kronikë e një tragjedie të paralajmëruar”. Një nënë dhe tre fëmijët e saj të mitur, me gjasë janë larguar nga kjo botë. Është gjetur trupi i njërit nga fëmijët, polumbarët kërkojnë të tjerët por shpresa vdes e fundit që nëna dhe dy fëmijët e saj të tjerë, të mos regjistrohen viktima… Viktima të një fenomeni që është ulur këmbëkryq në shoqërinë e familjen shqiptare.
Sot, bëjmë bilancin, flasim me dhimbje për jetën e humbura. Por pas disa orëve, harrojmë deri sa ndjeshmëria jonë të preket nga lajme të njëjta apo të ngjashme, për humbje jete grash apo fëmijësh, nga dhuna e bashkëshortëve, prindërve, baballarëve. Sigurisht, në rastin fatkeq të nënë Almës dhe 3 fëmijëve, jemi akoma në fazën e dyshimeve. Kjo, pasi babai 31- vjeçar ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes e aq më pak fëmijëve.
Fillimisht, u fol për fëmijën e gjetur të pajetë se kishte shenja dhune. Policia përgenjeshtroi zyrtarisht. Po çfarë ka ndodhur? Duhet të presim ftohtësinë e një vendimi gjykate, për të përcaktuar fajtorët dhe shkallën e fajësisë. Deri atëherë, mund të vajtojmë për fatin e familjes shqiptare, i ngjashëm edhe me vende të tjera por më ulëritës sepse na prek direkt ne, shqiptarët.
Gishtin, me të drejtë, e drejtojmë të gjithë nga shteti. Koncept abstrakt por i vetmi që mund të ndalë këtë valë. Sepse është valë. Janë të pakta ditët që nuk raportohet për raste dhune në familje, ndaj grave, fëmijëve por edhe njëri- tjetrit. Imagjinoni sa shumë raste ka, duke folur për ato që nuk raportohen sepse është turp, është “marre” me i “marr ftyrën babës së fmive”, duke e denoncuar në polici.
Po çfarë mund të bëhet konkretisht? Zgjidhjen nuk po na e japin as ato dhjetra shoqata që vazhdojnë të majmen me miliona në emër të mbrojtjes së grave e të miturve. Ndërsa ato vazhdojnë të fitojnë projekte, të fitojnë miliona, shumë gra e fëmijë, po i mungojnë apelit. Vetëm në Shkodër, sot, dyshohet për të paktën një grua dhe tre fëmijët e saj…
Fatkeqësisht, thjesht mund të pyesim: Kush e ka radhën pas Almës dhe tre fëmijëve të saj? Kur do të ndodhë tragjedia e radhës? Cilat do të jenë pasojat? Dhe, sa ditë do të zgjasë ndjeshmëria jonë?! /Nga Blerti DELIJA/