Unë e dua Dua Lipën por më shumë dua Sarën e vogël që shet misra në anë të rrugës për mbijetesë. Ky postim është një apel publik për Sarën 10 vjeçare që shet misra në anë të rrugës deri në mes natë, por një mesazh dashamirës edhe për Dua Lipen me të cilën qeveritarët lodhen të shesin shkëlqim vrastar për të fshehur keq qeverisjen e tyre të babëzitur.
Mbremë vonë duke udhëtuar për në Vlorë, pak metra larg rrethrrotullimit të Rrogozhinës një vajzë e vogël si engjëll, bashkë me motrat 6 dhe 8 vjeçe luteshin të shisnin misra të pjekur. Kurrë nuk kam parë deri sot sy më të gëzueshëm se sytë e Sarës kur i premtova se do ti dhuroja disa libra.
Nuk u gëzua kur i premtova rroba, kur i premtova se do ta ndihmoja përherë, sytë e Sarës u vezulluan vetëm kur dëgjoi fjalën libra. Gjyshja e saj më sqaroj se Sara 10 vjeçe e kishte të atin të sëmurë dhe duhet ta nxirrje vetë bukën e gojës – bile jo vetëm për vete por edhe për prindërit e saj dhe dy motrat më të vogla.
U përballa jo për herë të parë me këtë realitet të mjerueshëm migjenian, me varfërinë e Sarës pikërisht kur isha ‘lodhur’ gjatë gjithë rrugës nga marketingu varfërues i politikanëve tanë për Dua Lipën, të cilën edhe unë e vlerësoj dhe respektoj.
Sarën e vogël e kanë parë në anë të rrugës shumë politikanë, e kanë trembur shumë eskorta fodullëk- prodhuese. E kanë braktisur shumë deputetë fodull dhe të pa shpirt që edhe pse mund ta kenë nisur karrierën duke shitur misra, rrush apo dardha, edhe pse e kanë nisur karrierën e tyre me pantallona apo fustane të grisura.
Pangopja me pushtet abuziv ka varfëruar shpirtërisht shumë prej tyre dhe jo pak i ka kriminalizuar. Para Sarës me shpejtësi marramendëse kalojnë për ditë disa qindra biznesmenë dhe fëmijët e tyre supër luksozë që as sytë nuk i hedhin të varfërve anës rrugëve që shesin për mbijetesë.
Të shpesojmë që qeveritarët tanë të mos përdorin eskortat shoqëruese për Dua Lipën për të përzënë e terrorizuar, për të hequr zvarrë këdo që shet për bukën e gojës, për mirë arsimimin e mbesave dhe nipërve dhe për ilaçet e mbijetesës të tyre vetëm sepse ata janë realiteti i hidhur/pasqyra ku shikohet pastër keq qevevisja.
Përpara Sarës kalojnë përditë biznesmenë lokal e kombetarëe PPP dhe tenderafitues që majmin të korruptuarit me paratë që varfërojnë më shumë të varfërit, jo vetëm financiarisht.
Dua Lipa mund të bëjë dy gjëra fisnike: 1. Të dëgjojë dhe respektojë përditë këshillën inspiruese të Nënë Terezes, të modelit të saj që inspiron dhe sot miliarda të varfër, pak artistë dhe shumë pak politikanë – kur këshillon se gjithësecili prej nesh nuk duhet të bejë gjëra të medha/mediatikisht vezullese dhe të zhurmëshme – por gjëra të vogla me zemër të madhe.
Nga marketingu vezullues fitojnë vetëm politikanët e dështuar dhe të pa shpirt. Ndërsa nga kohezioni dhe solidariteti me të varfërit shumëfishohet sinergji pozitive që një popull të bëjë çdo ditë gjëra të vogla por me zemër të madhe.
Nga kjo energji dhe sinergji pozitive fiton Sara, fitojnë “nënat dhe gjyshet” edhe të Dua Lipës që keqtrajtohen edhe barbarisht nga këta politikanë kur shesin për mbijetesë.
Dua Lipa mund të pasurohet më mirë shpirtërisht në qoftë se i përshkon 400 km midis dy pikave më veriore dhe jugore të Shqipërisë modestisht, duke ndaluar edhe përpara Sarës/Sarave, duke ju dhuruar dashuri të sinqertë duke ju dhuruar libra, pse jo edhe një fotografi.
Une e dua Dua Lipën dhe i jam mirënjohes pëer arritjet dhe për famën e saj. Por unë më shumë dua Sarën, motrat dhe gjyshen e saj që sfidojnë varfërinë e tyre dhe që ndihmojnë të zbulohet si drita e diellit pashpirtësia e atyre që mbi lodhen, që keqperdorin milionat e taksapaguesve të varfër shqiptarë që ta fshehin pashpirtësinë dhe babëzinë e tyre edhe nëpërmjet keqperdorimit mediatik të fisnikërisë së artisteve dhe sportistëve të talentuar shqiptarë kudo në botë.
Siç ndodh historikisht me liderët autoritarë deri diktatorial, ata i duan artistët e mëdhenj vetëm sepse ju duhen. Ju duhen për të fshehur pashpirtësinë e tyre varfëruese edhe të mijëra shqiptarëve që e kanë braktisur Shqipërinë dhe Kosovën, por që sakrifikojnë të vijnë për të parë një koncert bamirësie të Duas dhe çdo artisti tjetër shqiptar – për Sarat e Shqipërisë dhe Kosovës. /Nga Arben MALAJ, publikuar në Facebook/