Me shumë, shumë vonesë por drejtësia foli. Kjo drejtësi që kemi, e re, e riformatuar sipas standarteve (teorike të paktën) më të mira dhe gjithëpranuara të paktën në një rast, me 140 vota deputetësh. Pas më shumë se 9 muajve që kishte nisur kjo mesele, kjo drejtësi u tha shqiptarëve se partia më e madhe e opozitës në këtë vend, e para e lindur pas rreth 45 viteve diktaturë, duhet të vazhdojë të endet dyerve të gjykatave për të njohur drejtuesit legjitimë. Natyrisht, duke i lënë gjërat pezull në dëm të PD- së, në favor të PS- së dhe shumë pranë zgjedhjeve të 14 maj 2023.
Fati i PD- së, ekzistenca ose jo e saj si një subjekt politik kompetitiv, nuk i intereson vetëm demokratëve, mbështetësve apo simpatizantëve të saj. Të paktën këto 32 vite, nën shembullin e shqiponjës që kemi në flamur, PD dhe PS kanë qenë dy “krahët” që kanë garantuar fluturimin. Mirë qpo keq, avash apo shpejt, në sherbim ose jo të qytetarëve, ato e kanë kryer këtë funksion. Nga sot, realisht, rrezikohet që njëri krah të shkëputet dhe secili e imagjinon se çfarë ndodh me shqiponjën shqiptare të politikës.
Vendimi i sotëm i Apelit Administrativ të Tiranës, krijon një amulli të plotë, me shumë të panjohura të paktën për të sotmen e PD- së. Sepse dikur, pas javësh, muajsh apo vitesh, drejtësia do të japë një verdikt final. Mjafton të lexoni Kodin Zgjedhor për të kuptuar amullinë e krijuar. Lulzim Basha është “de jure” kryetar i PD- së sipas Gjykatës së Shkallës së parë, pasi Apeli Administrativ prishi vendimin e gjyqtarit Zhukri duke e kthyer për rigjykim çeshtjen në Shkallën e Parë. Mirëpo, të gjithë demokratët e shqiptarët e dinë se Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen. Po ashtu, Enkelejd Alibeaj është komanduar kryetar jo si pas Statutit. Gazment Bardhi duhej të mblidhte formalisht Këshillin Kombëtar për të zyrtarizuar Alibeajn siç e thotë Statuti. Në fakt, pas dorëheqjes së 3 nënkryetarëve menjëherë pas asaj të Bashës, Alibeaj mbetej i vetmi nënkryetar në garë për tu komanduar kryetar. Mjaftoi një firmë e Bardhit e një njoftim për mediat dhe Alibeaj u bë kryetar i komanduar. Si do të veprohet me paraqitjen e dokumentacionit të PD- së në KQZ?!
E paqartë! KQZ njeh vetëm kryetarin si përfaqësues legjitim për depozitimin e dokumentacionit për pjesëmarrje në zgjedhje. 70 ditë para datës së zgjedhjeve, kryetari depoziton praktikën për regjistrimin e partisë. 60 ditë përpara, nëse ka, duhet të depozitojë marrëveshjen e ndonjë koalicioni të mundshëm. 50 para 14 majit, duhet të depozitojë listën shumëemërore të antarëve të këshillave bashkiakë. Nëse do të marrë guximin ti firmosë, në emër të cilëve anëtarë të PD- së firmos Lulzim Basha, të paktën publikisht i dorëhequr nga posti?! A do ta njohë KQZ atë si kryetar edhe pas dokumentit që PD mund të marrë në Gjykatën e Tiarnës, teksa është i dorëhequr dhe Kuvendi e qeveria njohin si kryetar Alibeajn?!
Amullia vijon edhe në krahun tjetër të PD- së. Nga sot Berisha nuk ka asnjë dokument zyrtar që të njihet si kryetar i PD- së, edhe pse prej shumë muajsh, ai është në selinë e PD- së në Tiranë. Ndërkohë, “primaret” e përfunduara në PD, kanë zyrtarizuar të paktën 56 kandidatë për kryetarë të bashkive. Aktualisht, e kanë të pamundur të futen në garë me siglën e PD- së. Artifica është një koalicion, i cili pas PL- së së Metës, kërkon minimalisht edhe një parti tjetër për tu regjistruar në KQZ për zgjedhjet. Koalicioni do të ketë një logo, por askund nuk do të figurojë as PD, as Rithemelimi i PD- së veçse, nëse bihet dakort, të vendoset edhe emri i Berishës apo i Metës.
Problemet më të mëdha, do të jenë tek listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë. Kodi Zgjedhor imponon listë shumëemërore të përbashkët mes partive të koalicionit. Pra, PL, PD e Berishës dhe të paktën një subjekt tjetër, do të kenë listë të përbashkët. Aleatët, qofshin edhe të parëndësishëm siç ishte me 6 mars 2022 PDK- ja, do të kërkojnë vende të sigurta në këtë listë të përbashkët. Natyrisht, PL- ja e Metës më shumë se të tjerët. PD- ja e Berishës, natyrshëm të të zbehet në ngjyra e forcë por edhe tkurret në numra. Motivimi politik do të jetë më i ulët, rrjedhimisht edhe pesha në qeverisjen vendore, më e vogël. Po kështu, edhe kandidatët për kryebashkiakë, do të jenë më pak të fuqishëm përballë këshillave që nuk do të mund ti kontrollojnë me emrat e demokratëve që mund të zgjidhen.
Ashtu siç edhe ka paralajmëruar Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, dy PD- të rrezikojnë të mos regjistrohen në KQZ për arsyet që shpjeguam më sipër. Shkurt e qartë, asnjëra nga PD- të nuk doli e fituar nga vendimi i sotëm i Apelit Administrativ për vulën. As përtej kësaj familje nuk mund të ketë të fituar. 60 bashki nuk i duhen gjë as PS- së, as qeverisë, as kryeministrit Rama. Nuk i duhen për vështirësi të kuptueshme administrimi por edhe si vend kandidat në paradhomën e BE- së. Periudha nga 30 qershor 2019 e deri më sot, janë tregues i qartë. Por edhe në kuptimin e garës, ashtu si në sport edhe në politikës, fitorja të shijon më shumë kur ke një kundërshtar, madje të denjë përballë. Nëse ndeshja është e trukuar apo më keq akoma, kur ekipin kundërshtar e zgjedh ti vetë, nga pas merr vetëm fishkëllimat e tifozëve në stadium, atyre që të ndjekin nga shtëpitë duke i sjell një dëm të madh këtij vendi. I cili në fakt, edhe po të ishte qëllim në vetvete, nuk do të mund të dëmtohej më shumë se sa është dëmtuar këto 32 vite. Edhe për PS- së, nëse e konsideron fitore, do të rezultojë si e Pirros. /Nga Blerti DELIJA/