Kur filloj e flas për Vllazninë ndjej emocione që më burojnë fuqishëm. Sot është ditë festive për dashamirësit e futbollit pasi ekipi jonë i zemrës VLLAZNIA E SHKODRËS u shpall zyrtarisht kampione dimri me meritë të plotë.
Të arrish 8 fitore në 11 javë të kampionatit që përkon praktikisht dhe me mbylljen e vitit 2020, do të thotë një ecuri e jashtëzakonshme ku nuk është parë me parë që Vllaznia të arrijë këto rezultate mbresëlënëse për më shumë se një dhjetëvjeçar, përkatësisht që nga viti 2008.
Gjithçka nisi 6 muaj më parë, ku babaxhani dhe zemërmadhi Alban Xhaferi shprehu dëshirën e plotë për të marrë drejtimin e Vllaznisë dhe për tu bërë sponsori kryesor i skuadrës në një kohë shumë të vështirë si pasojë e pandemisë globale duke ndërtuar ekipin e ri me përkushtim ku u përzgjodh stafi i ri dhe ku u afruan shumë futbollistë të rinj.
Deri më tani Xhaferi ka goditur në shenjë me dyshen e trajnerëve Brdariç- Plori që pa harruar edhe ndihmësit Osja dhe Lekiqi por dhe drejtorin sportiv Djarmati, po bëjnë një punë të shkëlqyer dhe puna e mirë e tyre po shpërblehet në mënyrën më të mirë të mundshme ku rezultatet flasin vetë.
Kjo ecuri e deritanishme po na rikthen shpresën që Vllazninë ta shohim sërish kampione si në 2001, pavarësisht se rruga është e gjatë deri në fund të kampionatit por ajo që është më e rëndësishmja, të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe mos të na kaplojë euforia.
Haxhiosmanoviç është trajneri i vetëm i huaj (malazez) që do sillte titullin në Shkodër, pse jo të mos provoje të njëjtën gjë dhe Brdariç. Ndoshta ky do jetë viti i tij që edhe Vllaznia të arrijë ta vendosë yllin në fanellë.
Vllaznia e këtij sezoni është ekipi ‘lokomotivë’ i kampionatit shqiptar. Vitin 2020 po e mbyllim me rezultate të jashtzakonshme. Shpresoj dhe uroj që edhe 2021 të jetë po i njëjtë për ngjyrat e zemrës KUQEBLU. /Nga Andi GJURGJEJ/