Sot, rreth 25 mijë demokratë janë të thirrur të votojnë kryetarin e PD- së së vulës. Në fakt, anëtarë rezultojnë rreth trefishi por janë përjashtuar nga e drejta e votës se janë “demokratë të Rithemelimit” por edhe demokratë që nuk metitojnë të votojnë se nuk kanë paguar kuotizacionin e partisë. Që këtu nisin problemet dhe shihet qartë se synimi nuk është ardhja në pushtet por posedimi i vulës.
Nuk ka asnjë dyshim se Lulzim Basha do të fitojë thellë përballë të panjohurit edhe në PD- në e vulës Gjergj Hani. Madje, Basha ka fituar që dje, me stilin e njohur të hartimit të procesverbaleve një ditë para votimit, stil i njohur sidomos nga 2013- a e këtej.
Lulzim Basha e ka shprehur qartë, më shumë se një herë se synon bashkimin e PD- së, e cila prej disa ditësh tashmë, është e çarë në tre pjesë. Mekanizmi është i çuditshëm për të arritur qëllimin. Në vend të ftesës për çdo demokrat që nga 1990- a për të marrë pjesë në votimin e tij, ai ngushton trupën zgjedhore në 25 mijë. E pra të gjithë janë demokratë, pavarësisht lëkundjeve të natyrshme që mund të kenë patur në vite.
Përveç se kryetar i PD- së së vulës apo zyrtare, Lulzim Basha do të jetë zyrtarisht kandidat për kryeministër në kushtet kur demokratët e tjerë, të Rithemelimit por edhe të Grupit Parlamentar, duhet të përfaqësohen përballë institucioneve shtetërore me vulën e PL- së së Metës. Basha nuk lejon të vetët demokratë të vendosin për fatin e tij në krye të PD- së, si mund të pretendojë të arrijë karrigen e kryeministrit për të cilën duhen edhe votat e qindra mijëra shqiptarëve që nuk aderojnë në PD?!
Fatkeqësisht për opozitën por edhe Shqipërinë, prej gati dy vitesh, në PD e gjithë energjia po harxhohet për vulën. Tregojnë në Shkodër një barcaletë. Një malësor që nuk kishte parë asnjëherë ndeshje në stadium, u fut bashkë me disq miq qytetarë për të ndjekur një ndeshje futbolli. Qendronte i habitur teksa 22 lojtare dhe gjyqtari ndiqni nga pas një top. Me humorin që i karakterizon, malësori lëshoi batutën:
-Jepuni të gjithëve nga një top, nuk kanë pse vrapojnë të gjithë për të kapur një të vetëm. Kështu nuk shtyhen e nuk përplasen me njëri- tjetrin.
Kështu mund të zgjidhet edhe çeshtja e vulës. Jepuni të gjithëve nga një vulë. Pastaj tre vulat të bashkohen në një të vetme (Federata Demokratike)… Sigurisht nuk mund të ndodhë kështu, por është rruga e vetme, më e shkurtra dhe që mund të unifikojë flukset e antarësisë me shpresën se një ditë mund të gjejnë një derë të përbashkët për një shtëpi të vetme. /Nga Blerti DELIJA/