Pas një bashkëjetese politike 16 vjeçare dhe lulëzimi nën hijen e tij, Lulzim Basha u kujtua se Sali Berisha qenka komunist! E përmend përherë e më shpesh jo vetëm ai por edhe enturazhi që e mbështet në PD- në e tij. Në politikën shqiptare nuk mund të flitet për moral por as edhe një rebel si Edi Rama nuk e ka quajtur paraardhësin e tij në PS, Fatos Nanon, me këtë epitet: Komunist!
Në 31 vite, Sali Berisha nuk e ka mohuar asnjëherë që ka qenë antar i PPSH- së. Pra komunist deri në vitin 1990. Po ashtu, as edhe që ka qenë sekretar i PPSH- së në spitalin apo spitalet e kohës. Po ashtu, as që ka sherbyer si kardiokirurg edhe pranë “udhëheqjes” së kohës së diktaturës. Ai nuk ka mohuar as njohjen e mbase edhe më shumë se kaq me bijtë e diktatorit Enver Hoxha. Të gjitha këto, kanë qenë të njohura e të ditura para 9 shtatorit 2021.
Deri në këtë ditë, ai ka udhëhequr edhe si ish- komunist, si ish- sekretar i PPSH- së, si ish- mjek i udhëheqjes komuniste, si ish- i njohur apo edhe më shumë se kaq i fëmijëve të diktatorit Hoxha vendin, Shqipërinë por edhe Partinë Demokratike. Konkretisht, ka qenë kryetar i PD- së “de jure” apo “de facto” nga shkurti 1991 deri në korrik 2013. Madje, kryetar i fortë, asnjëherë humbës apo i kontestuar në këtë parti politike. Është përballur me mjaft kundërshtarë, disa syresh edhe me mbështetje të fortë ndërkombëtare si Genc Pollo, po ka fituar.
Nga 1992 deri në 1997, ka qenë president i vendit, i zgjedhur dy herë edhe pse i dorëhequr pas rrëzimit nga pushteti në qershor të atij viti. I është rikthyer pushtetit në 2005- ën për të qendruar pa ndërprerje si kryeministër për 8 vjet. Në total, deri në dorëheqjen e tij në 2013 edhe nga kryesimi i PD- së, Berisha udhëhoqi vendin për më shumë se 13 vite dhe Partinë Demokratike për 22 vite. Këtë të fundit mund ta kishte udhëhequr edhe sot, nëse nuk do të tërhiqej duke stimuluar si pasues Lulzim Bashën.
Sot, kur pasardhësi po përpiqet “të vrasë” me shumë vonesë “babanë politik”, Sali Berishës po i kujtojnë se është ish- komunist, e keqja që duhet larguar jo vetëm nga PD- ja por edhe politika. Madje, “duke marrë me vete” edhe Ilir Metën dhe Edi Ramën, me rol aktiv bashkë me Berishën në Lëvizjen e Dhjetorit 1990 që i parapriu krijimit të PD- së dhe lejimit të pluralizmit në këtë vend.
Sali Berisha sot është më pak ish- komunist apo komunist se në 1990- ën. Për arsyet që thamë edhe më lart por edhe për kohën e kaluar në demokraci. 46 vjeçari Berisha në 1990- ën pati kthjellimin (po të doni, edhe pjesë e “skenarit ramizian”) dhe afëtësinë të ngjitet në krye, duke u kthyer në figurë qendrore të politikës shqiptare, edhe sot pas 32 viteve nga starti. Asokohe, thuajse në moshën e sotme të pasardhësit të tij Basha, Berisha zgjodhi si kauzë luftën ndaj komunizmit dhe riciklimit të tij. Sot, duket se Lulzim Basha po ecën në të njëjtën linjë, por duke identifikuar si “komunistin e rrezikshëm” pikërisht Sali Berishën. Sigurisht edhe të tjerë si Rama e Meta.
Në fillim të viteve ’90, ishin jo të paktë ata që e kontestonin, e shihni me rezerva Sali Berishën në krye të shtetit por edhe të partisë opozitare antikomuniste, PD- në. Mes tyre dhe publikisht, edhe shkruesi i këtyre rreshtave. Pse, çfarë ndodhi që sot, 32 vite më pas, Sali Berisha është terheqës edhe tek të lindurit pas 1990- ës?
Pikë së pari, këto 32 vite treguan se kauza antikomuniste ishte false ose dështoi. Aktualisht, në të djathtë e në të mëngjër, janë jo të parëndësishëm pinjollët e familjeve të ish- Bllokut. Kjo jo vetëm në politikë për në të gjitha fushat, më së shumti në bisnes. Pra riciklimi është i plotë tashmë dhe mjaft i fuqishëm. Kauza antikomuniste, e përdorur edhe gjatë 8 viteve të fundit nga lidershipi aktual i PD- së, nuk solli ndonjë rezultat të dukshëm. Po jetojmë vitin e parë të mandatit të tretë radhazi në opozitë në “udhëheqjen” e njërit prej “pinjollëve të ish- Bllokut”, Edi Rama.
Artikulimi i antikomunizmit, duke risjellë si simbol të çrrënjosjes së tij pikërisht Berishën, sot ngjall vetëm të qeshura. Sidomos kur vjen nga një lider i edukuar në perëndim si Lulzim Basha. Kjo kauzë, nuk ngjit më. Sidomos në “betejën” brenda rradhëve në PD. Basha është antikomunist por pezullon, përjashton, shkarkon në të majtë e të djathtë të tij, edhe ish- bashkëpunëtorë mbi supet e të cilëve ngriti karrierën politike. Pavarësisht se është “brez i ri”, preferon blindimin e kështjellës së tij para hapjes së dyerve ndaj votës së atyre që përbëjnë Partinë Demokratike realisht, antarësinë. Deklaron se ka mbështetjen e shumicës, por nuk guxon ta sfidojë “komunistin” Berisha me votë.
Para vitit 1990- ë, shumica e antarëve të PPSH së apo komunistët, kanë qenë persona pozitivë, të mirë edhe me ata që regjimi i instruktonte ti shihnin shtrembër e me përçmim si “klasë e përmbysur” apo “armiq”. Edhe pas 1990- ës, jo domosdoshmërisht tesera apo antarësia në PD, të ka bërë demokrat, edhe pse krijohej përshtypja se ky term është “privatizuar” nga kjo forcë politike. Siç edhe në këto 32 vite, mjaft shpesh ka patur “kapërcime ylberi” politik nga më të pabesueshmet.
Sot në 2022- in, pyetja më normale do të ishte: Është më shumë “komunist” Sali Berisha apo Lulzim Basha? Përgjigjen mund ta japë secili. Sa i takon PD- së, do të ishte mirë që vetë anëtarët me votë të zgjedhin kush është më pak “komunist” nga të dy. Mbase mund të fitojë “antikomunizmi” i Bashës por mbase demokratët mund të preferojnë të drejtohen akoma nga “komunisti” Sali Berisha! /Nga Blerti DELIJA/