Nga Andi Bushati
Njerëzit e saj u thonë gazetarëve se tashmë Gjushi i Durrësit është kapur duke dhënë pasuri publike në këmbim të votave. Eksponentë të lartë janë gati të vënë bast se Lala i Elbasanit është përgjuar me kriminelë.
Këtyre fjalëve të korridoreve u jep vulën e vërtetësisë edhe vetë Lulzim Basha i cili shfaqet herë në tribunën e parlamentit dhe herë në atë të selisë blu, për të deklamuar: “Do ta shihni se çfarë do të dalë së shpejti”.
Por, prej javësh asgjë nuk ndodh dhe idhtarët e opozitës kanë filluar të lodhen nga kjo lojë kukamëshefti që më shumë i ngjan një shantazhi.
Pikërisht, kjo, frika se mos gjithçka po përdoret për shantazh është rreziku më i madh që mund të zhvlersojë edhe denoncimet që janë bërë deri më tani edhe ato që premtohen të bëhen në të ardhmen.
Këtë ndjenjë të keqe e përforcon edhe më shumë mënyra se si janë sjellë dy partitë tona të mëdha, me skandalet që kanë pasur në dorë.
Po të shohim tani, menjëherë pas shpërthimit të aferës Tahiri, socialistët janë hedhur në një sulm frontal për të zhvendosur vëmendjen drejt mendësisë: “Të gjithë jemi njësoj”.
Të tronditur fort nga dosja italiane e Habilajve ata po ngrejnë njhë stuhi në gotë për paratë që Lulzim Basha ka paguar në ShBA për lobing, për mënyrën se si qeveria Berisha ka privatizuar Rapiscanin, për kulisat si u mbyll nga prokuroria privatiizimi i dyshimtë i CEZ.
Natyrisht në gjithë këtë zhurmë ka pak vullnet për të bërë drejtësi. Nuk ka budalla në këtë vend që nuk e di se si paguhen para të zeza për lobing, nuk ka njeri që mbeti t’a mësojë sot aferën korruptive të Rapiscan, apo milionat që dolën nga bankat menjëherë pas privatizimit të CEZ. Edhe rilindasit aty i kanë patur prej 5 vitesh dhe nuk e kanë vënë ujin në zjarr për to.
E po të zbresësh më larg në kohë, njësoj kanë vepruar edhe demokratët kur ishin në pushtet. Sapo plaste skandali i Gërdecit, ata nxirrinin të parët dokumentët e lejeve të ndërtimit për të treguar se Delijorgji qe i Ramës. Sapo një investitor pakistanez akuzonte vajzën e Berishës, makineria e propagandës së PD fillonte fliste për pallatin e paligjshëm të Linda Ramës. Dhe çuditërisht sapo njëra palë e ulte rritmin edhe denoncimet e karhut tjetër shuheshin si me magji.
Pikërisht këto raste paralele dhe dhjetra të tjera si këto, kanë krijuar në publik idenë se të gjitha krahët e politikës shqiptare as nuk kanë dërmend t’i zbardhin skandalet e njëri- tjetrit, as nuk kanë ndërmend të bëjnë drejtësi, as nuk kanë qëllim t’i shkojnë deri në fund të vërtetës.
Ato kanë lënë prej kohësh përshtypjen se gjithçka e mbajnë të arkivuar, vetëm si shantazh ndaj kundërshtarit, apo si gurin e fundit për të mbuluar mëkatet e veta.
Kjo bindje e krijuar prej vitesh është mallkimi më i madh për skandalet e papublikuara që opozita pretendon se disponon. Cilado qoftë arsyeja që ajo i mban në sirtar, cilado qoftë axhenda që ka planifikuar, apo cilido të jetë përfitimi politik që kërkon të nxjerrë prej çështjeve që i përkasin drejtësisë, ajo rrezikon të korruptojë ndejshëm efektin e “bombave” që ka në dorë.
Ç’do ditë që kalon në heshtje, është një “boomerang” për Lulzim Bashën. Ç’do ditë që ai mban të fshehur nga publiku i gjërë, atë që pretendon se di, është një minus në besueshmërinë për të. Ç’do ditë që i kalon pa nxjerrë provat është një krim edhe më i madh, sesa ajo që mendon dikush: se ai nuk ka pasur asnjë dosje dhe ka bllofuar që prej dy muajsh.
Prandaj, pas gjithë këtyre kohëve, Basha nuk i ka lënë vetes alternativë tjetër: ai ose duhet të flasë konkretisht, ose duhet të heshtë njëherë e mirë.