Siç ishte paralajmëruar, në orët e para të mbrëmjes së kësaj të hëne, është zhvilluar në Shkodër protesta e paralajmëruar “Kulla s’asht cool”, e cila synonte sensibilizimin e opinionit publik kundër ndërtimit të Hotel Rozafa Tower, i prezantuar një javë më parë nga investitori Rozafa Group, në prani të kryeministrit Edi Rama.
Fillimisht, protestuesit janë tubuar në sheshin “Nënë Tereza”, pranë bustit të Luigj Gurakuqit, ku kanë shpalosur edhe parulla të ndryshme në mbështetje të kauzës së tyre. Në vazhdim, në formë procesioni, me pankarta në duar dhe duke lëshuar thirrje me megafon, ata kanë ecur përgjatë pedonales “28 Nëntori”, në drejtim të Bashkisë Shkodër.
Aty protestuesit kanë ndaluar, teksa oratorë të ndryshëm kanë marrë fjalën. Ishin anëtarë të Këshillit Bashkiak, pjesë e opozitës, deputetja Emilia Koliqi, të ardhur nga Tirana si Adriana Kalaja e Lëvizjes për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, qytetarë dhe përfaqësues të familjeve që pretendojnë pronësinë e truallit ku do të bëhet ndëtimi.
Pasi kanë përfunduar fjalimet e tyre, protestuesit janë shpërndarë për ti dhënë fund manifestimit “Kulla s’asht cool” që u organizua përmes rrjeteve sociale. /ShkodraWeb/