Kandidati për deputet i LSI, Endrit Braimllari është gjobitur nga Policia me shumën 5.000.000 lekë (rreth 50 mijë USD, nëse nuk është shkruar gabim në njoftimin e policisë më poshtë) për shkak se ka organizuar takim elektoral në kundërshtim me aktin normativ për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Braimllari, i cili është Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, në datën 7 shkurt, ka publikuar në rrjetet sociale foto nga takimi me banorë të Maliqit, brenda një salle ku shihen të pranishëm mbi 10 persona, por edhe pse me maska, janë ulur shumë pranë njëri-tjetrit, në kundërshtim me rregullat e vendosura anti-Covid.
NJOFTIMI I POLICISË
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas konstatimit në rrjetet sociale se përfaqësuesi i një subjekti politik konkretisht shtetasi E. B., kishte organizuar dhe zhvilluar në ambientet e një lokali në qytetin e Maliqit, një aktivitet duke krijuar grumbullime personash në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, Neni 3, pika 2, e kanë ndëshkuar me masën administrative 5.000.000 lekë.
Gjithashtu është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasja Z. B., pasi lejoi zhvillimin e aktivitetit në ambientet e lokalit që ajo administron, duke shkelur Aktin Normativ.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.