Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bëri me dije se nga dhjetori i vitit 2014 e deri në fund të 8 mujorit 2017 nga skemat lehtësuese të pagesës me këste të detyrimeve të prapambetura përfituan 339 mijë abonentë.
Në aspektin financiar kjo u ka kursyer atyre 200 milionë dollarë kamatëvonesa që iu janë falur.
Sipas OSHEE gjysma e kësaj vlere reduktimi i takon kategorive në nevojë, si familje me ndihmë ekonomike, pensionistë mbajtës të kontratës, si dhe invalidët. Numri i tyre është të paktën mbi 60 mijë të cilëve, OSHEE u ka ofruar mundësinë e pagesës me këste 1000 dhe 1200 lek/muaj, dhe nëse janë korrekt për një periudhë 6-mujore, i zerohet i gjithë kamata.
Treguesit e 8-mujorit
Treguesit e performancës së OSHEE për periudhën janar-gusht tregojnë një rritje të energjisë së hedhur për konsum dhe faturuar.
Sasia e energjisë së shitur rezulton me rritje 2.7% ose 1,2 miliardë lekë, në raport me 8-mujorin e 2016-s.
Në total, kemi rreth 42.7 miliardë arkëtime, kurse niveli i humbjeve, po si 8-mujor ka zbritur në 27.5 nga 28.1 që ishte vitin e kaluar, duke mos harruar se 4 vjet më parë ishte mbi 44%.
Për rrjedhojë, kemi reduktim të borxhit, ku sipas të cilës, për fatura 2007-2014, nga 67.8 miliardë lekë, deri në fund të gushtit 2017, zbriti në 49.5 miliardë lekë. /Monitor/