Egnatia është gati për të matur forcat me Vllazninë në fushën e saj. Në dy javët e fundit, të besuarit e trajnerit Gugash Magani kanë arritur dy suksese radhazi.
Në një intervistë për “Panorama Sport” kapiteni i Egnatias, Ndriçim Shtubina, shprehet i kënaqur për ecurinë e deritanishme dhe ka nostalgji për Vllazninë, por premton se do të japë gjithçka për fitoren e rrogozhinasve.
Si e pret Shtubina këtë përballje duke qenë se luan ndaj ish-skuadrës?
Për mua është një emocion i veçantë pasi luaj kundër skuadrës sime të zemrës. Te Vllaznia hodha hapat e parë të karrierës. Mësova shumë gjatë viteve që luajta atje duke pasur respekt nga çdokush. I madh e i vogël më ka mbështetur në stadium çdo herë. Kemi ndarë emocione së bashku.
Jo vetëm unë, por dhe lojtarët kanë bërë gjithçka që Vllaznia të jetë sa më lart në renditje e në përfaqësimet e saj kudo. Kanë qenë periudha të bukura që i kujtoj gjithmonë. Gëzoj respekt për këdo atje. Futbolli është profesionist e asnjëherë s’i dihet se ku luan gjatë karrierës. Tashmë jam tek Egnatia dhe jam i motivuar për këtë fanellë çdo herë në arritjen e synimeve sezonale.
Vllaznia vjen pas dy humbjeve, mendoni se ju mund t’i shkaktoni humbjen e tretë e ta fusni në krizë?
Unë kam besim se Egnatia do të fitojë me patjetër, pasi kemi skuadër shumë më të fortë. Ne mund të mundim çdo kundërshtar. Cilësitë dhe vlerat tona janë shumë herë më të larta se të kundërshtarëve. Jemi klub i investuar me kërkesa që duhen përmbushur, por jo që të neglizhojmë askënd.
Na nevojitet kujdes e përqendrim që të arrijmë atë që dëshirojmë. Deri tani kemi qenë të bashkuar dhe kemi thyer çdo parashikim. Repartet kombinojnë si duhet dhe vlerësojnë shumë mundësitë që u krijohen. Besimi në vetvete është i madh që çdo 90 minutësh të përfundojë në favorin tonë.
Çfarë ndjesie është për ju që të shënoni ndaj Vllaznisë, a do të festoni apo do të jetë gol hakmarrjeje për faktin se para dy vjetësh nuk ishit pjesë e planeve të klubit?
Duke qenë profesionist unë deklaroj se i respektoj të gjithë në Shkodër. E them këtë sepse është fanella e rëndë e qytetit tim. Asnjëherë nuk do të festoj apo të luaj për hakmarrje ndaj tyre. Unë po luaj për skuadrën time, Egnatia, dhe dua vetëm fitore.
Ndonjëherë e shkuara kalon në plan të dytë. Mbetet vetëm të mendoj vazhdimësinë që të jem rezultativ. Te rrogozhinasit të gjithë më vlerësojnë. Kam synim të zbres me motiv të lartë në fushën e lojës. Duke shërbyer për shokët me asiste e të shënoj sa herë më vjen mundësia.
Përvoja të mëson shumë gjëra, por duhet të jesh gjithnjë i vëmendshëm. Besoj në aftësitë e mia për të qenë korrekt deri në detaje për më të mirën e përbashkët. Nëse do të shënoj kam dedikim special më shumë për familjen time që s’mungon asnjëherë në stadium.
Deri ku mund të mbërrijë Egnatia këtë sezon?
Nëse ne jemi gjithmonë në këtë ritëm nuk na ndal askush. Ekziston një dëshirë e madhe te të gjithë ne për të qenë gjithnjë surprizues. Skuadra ka përgatitje të lartë fizike e teorike. Unë jam i sigurt se do të luftojmë për më lart gjithmonë. Vetëm se duhet të jemi me këmbë në tokë. S’na mungon asgjë që të jemi konkurrues.
Presidenti, stafi e drejtuesit na plotësojnë çdo gjë që na duhet për rrugëtim të qetë. Padyshim, shpërblimi duhet vlerësuar. Jo vetëm unë, por dhe shokët punojnë fort që Egnatian ta mbajmë sa më lart në renditje. Askush nuk duhet të na quajë kalimtarë, sepse ne kemi objektivat tona. Ndaj kujtdo do të jemi në kërkim të tri pikëve. Nuk duhet të na mungojë aspak vëmendja për të arritur më shumë.
Po për tifozët rrogozhinas, keni ndonjë mesazh special që ju motivojnë kudo ku luani?
Tifozët janë një shtysë e madhe për ne gjithmonë. I respektojmë në maksimum, pasi për ata luajmë. Motivimi mbetet i madh, pasi na kanë ndjekur kudo dhe i falënderojmë. Që të gjithë i ftoj të jenë të shumtë në stadium, sepse nuk do t’i zhgënjejmë aspak.
Ata janë frymëzim në çdo rast. Kudo ku kemi luajtur kanë qenë të shumtë në numër. Në dy përballjet e fundit u kemi dhuruar emocione të shumta besoj. Çdo herë futbolli është i bukur e “Fair Play” në fushë e tribuna.