Pa dyshim një nga emrat e mëdhenj të skenës dhe të ekranit që i kemi në mes nesh. Luftar Paja një ditë më parë, më shumë si një pensionist dhe aktor i madh shqiptar, ngriti një shqetësim të drejtë për rimbursimin e një medikamenti për sëmundjet e zemrës. Siç është e kuptueshme, shqetësimi u bë menjëherë lajm dhe shkoi në veshët e ministres së Shendetësisë Ogerta Manastirliu. Vetë aktori Paja njofton se poblemi i tij i bërë publik, po merr zgjidhje. “Problemi im po merr zgjidhje, më vjen shumë keq që çështja ime u politizua, nuk ishte ky qëllimi, megjithatë e rëndësishme është që tani gjithçka është në rregull. Dhe më e rëndësishme akoma, është që nuk flasim kot. Nuk na bie fjala në veshë që nuk dëgjojnë”, shkruan Luftar Paja.
Sa mirë do të ishte sikur të gjitha shqetësimet e pensionistëve shqiptarë, të gjenin kaq shpejt zgjidhje! Një deklaratë në media, fjala në vesh të perëndisë- më falni, të kryeministrit dhe fap…zgjidhet problemi!
Por kjo në Sqipëri nuk ndodh as në përrallat e “1001 netëve” që zëvendëskryeministrja jonë shkodrane i ngatërroi me “1001 yje” që në fakt ishin “Yje të pashuar”. Nuk ka asnjë dyshim që emri Luftar Paja, mund të ndikojë dukshëm për të tërhequr vemendjen e një ministri apo edhe kryeministri. Por ka edhe një detaj tjetër, i vogël në dukje përballë madhështisë që të imponon emri i Luftar Pajës. Gazmend Paja është i biri, aktos i njohur edhe i spektakleve të përjavshme si “Portokalli”. Nuk përben sekret prirja e tij politike majtas, madje përfshirja edhe në aktivitete të organizuara nga PS, siç dhe miqësia me emra të njohur pranë kryeministri Edi Rama. Madje, Paja i ri ishte edhe pjesë e jurisë “FRESSH VOICE” që për shumë javë me rradhë shëtiti Shqipërinë.
Nuk ishte çudi që shqetësimi i Luftar Pajës do të zgjidhej, edhe qoftë vetëm për atë personalisht. Por edhe nga fakti tjetër që Gazmendi është i biri, që sigurisht pati ndikim. Sepse kështu funksionon Shqipëria jonë, fatkeqësisht. Madje, nëse ka aktive një shoqatë apo sindikatë pensionistësh, nuk do ishte keq që të kishte në krye Luftar Pajën. Shumë probleme do të merrnin zgjidhje, përsa kohë që Edi Rama do të kishte pushtetin që ka sot të paktën.
Nuk mund të them me bindje se edhe një aktor i madh si Luftar Paja u hodh në fushë për të bërë PR apo për të zhvendosur vëmendje publike nga tema më të nxehta të ditës. Por njëfarë dyshimi më krijohet tek vetë fjalët e aktorit të madh i cili thotë:”…. më vjen shumë keq që çështja ime u politizua, nuk ishte ky qëllimi, megjithatë e rëndësishme është që tani gjithçka është në rregull. Dhe më e rëndësishme akoma, është që nuk flasim kot. Nuk na bie fjala në veshë që nuk dëgjojnë”. Nëse hipoteza ime do të ishte e vertetë, do të ishte një turp i madh! Përdorimi i një emri si ai i Luftar Pajës, do të shënonte një pafytyrësi të madhe të atij segmenti politik që e përdori.
E teksa po nendoj ti vë pikën e fundit këtyre rradhëve, mendja më shkon tek bashkëmoshtarët e Luftar Pajës, të nënës time, pensionistëve shqiptarë. Punuan një tejë të tërë dhe sot kanë 150 mijë lek të vjetra në muaj, ku duhen përfshirë ilacet, ushqimi, uji, dritat dhe…kaq! Ndoshta Luftar Paja ka patur një fat më të mirë, ndoshta edhe fitime më të mëdha sepse ka bërë art, apo edhe mbështetje më të madhe financiare nga i biri aktor i njohur- mundësi që unë nuk e kam për nënën time. E çfarë më mbetet ti uroj pensionistët shqiptarë, nënën time të parën? Vetëm katër fjalë: Paç fatin e Luftar Pajës! Edhe për ilaçet me rimbursim, që shumë herë nëna ime duhet ti ndryshojë dhe ti blejë të tjera sepse…nuk i bëjnë efekt ato që “ia garanton” shteti i saj dhe i imi! /Nga Blerti DELIJA/