Në fakt, pavarësisht nga retorika e palëve politike (Sot Ramës i intereson si lideri kuqezi i të gjithë shqiptarëve të pretendojë një pakt permanent me pakicën, ndërsa Basha i vënë në pozicionin e fëmijës që e gënjyen do ta varrosë këtë kapitull) pyetjet e ngritura mbeten: A ka vdekur pakti i 18 majit? A e prishi Rama marrëveshjen? A e shpërdoroi ai besimin që i’u dha? Po të dëgjosh se ç’thotë sot Basha mbi këto pyetje, nuk ka më asnjë dilemë. Sipas tij thelbi i kompromisit të tyre ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dhe deri sa këto nuk u realizuan, pasi Rama bleu dhe dhunoi votën e shqiptarëve, tani është e kotë të flasësh për një zgjatim të 18 majit. Fatkeqësisht Basha gënjen. Deri më tani, as ai dhe as PD, nuk kanë dhënë asnjë provë bindëse se në 25 qershor, u bë gjëma. Basha kishte të gjitha ministritë, drejtoritë dhe garancitë që kërkoi dhe sot ai nuk mund të thotë asnjë gjysëm fjale. Natyrisht, kjo nuk do të thotë aspak se zgjedhjet në Shqipëri ishin korrekte. Paradoksi është se në momentin kur Basha vendosi të mbyllë çadrën dhe të puthet me Ramën, historia e tyre kishte përfunduar. Oligarkët i kishin paguar paratë, mediat e kishin kryer procesin e lavazhit të trurit, krimi i kishte marrë masat me kohë. Ishte pikërisht ky kalkulim i gabuar, që i dha mundësinë Ramës të vriste me të njëtin gur të dy zogjtë: edhe të fuste zgjedhjet në xhep, dhe të respektonte atë për të cilën u angazhua. Ndaj ne sot nuk kemi asnjë provë (e mbani mend opozitën memece të 25 qershorit që nuk bëri asnjë deklaratë për parregullsi?) se Rama nuk i ka qëndruar korrekt paktit që nënshkroi. Avantazhi i tij qe se gjeti një partner që e joshi me disa ministra fallco dhe me disa drejtori me lekë dhe arriti ta fusë në zgjedhje. Ai garën e fitoi aty. Pastaj 25 qershori qe thjeshtë një formalitet që i dha atij alibinë e kriminelit që nuk gjendet në vendin e krimit. Prandaj, Basha sot nuk mund të përdorë vjedhen e zgjdhjeve si shkak për prishjen e paktit, se ai e pranoi atë, i ndërgjegjshëm për çfarë do të ndodhte më pas.