Inflacioni për muajin Prill arriti në 1.9%, larg objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë, por më i lartë se një vit më parë.
Muaji që lamë pas pritej të kishte një inflacion të lartë, si për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe disa artikujve farmaceutikë, por edhe për shkak të forcimit të monedhës euro, e cila do të përkthehej në çmime më të larta për mallrat që vijnë nga jashtë.
Sipas Institutit të Statistikave Shqiptare, rritje të çmimeve ka patur, por më të prekurat janë grupet e ushqimeve, ku vetëm çmimi i frutave në Prill u rrit me 19.3% më shumë se një vit më parë, zarzavatet me 6.3%, vajrat me 4.6% dhe produktet shtazore me afro 4%.
Rritje është konstatuar edhe në grupin “argëtim dhe kulturë” me 3.8%, edhe pse shumica e këtyre aktiviteteve kanë qenë të mbyllura.
Shqiptarët kanë paguar më shumë në këtë periudhë edhe për qira, pije alkoolike dhe pajisje shtëpiake. Sipas INSTAT çmimet në grupin e shëndetit janë ulur me 0.7% krahasuar me një vit më parë, ndërsa çmimi në shërbimin e transportit ra me 3.1% për shkak të uljes së çmimit të naftës. /tvklan.al/