Një shumë prej 120 mijë eurosh ka qenë fundi i sagës së vjedhjeve të Rozeta dhe Havier Dobit, nënë e bir të cilët u kapën pas denoncimit të pronares së banesës Alda Klosi në rrugën e “Kosovarëve” në Tiranë.
Në një prononcim për “5pyetje.al”, ish-zyrtarja Alda Klosi është shprehur se paratë i ka të deklaruara dhe se i kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait.
Klosi tha se Rozeta prej 5 vitesh punonte te ajo si pastruese dhe se vjedhjen e kishte inskenuar më së miri.
Ajo tregoi se dera ishte hapur me çelës dhe për t’u dukur si grabitje Rozeta kishte hedhur dollapet në shtëpi, rrobat.
“Paratë janë të deklaruara. Ato janë për një rast fatkeqësie të xhaxhait tim se është me kancer. Dhe unë kam qenë në Amerikë. Po e kam bërë vetë denoncimin. Rozetën e kisha të punësuar prej 5 vitesh. Ajo ka bërë masakër për hapjen e derës, nuk e ka bërë vetëm te mua. Ajo punonte edhe në shumë vende të tjera. Nga kamerat e kapëm. Ka inskenuar veprën, sepse banesa është hapur me çelës. E kishte inskenuar, kishte hedhur rrobat, dollapin. Nuk më shkoi mendja fare te ajo”, tha Klosi.
Rozeta Dobi dhe Havier, nënë e bir, kishin ndërtuar një skenë të mirëfilltë dhe grabisnin vilat, ku 49-vjeçarja punonte si sanitare.