Parlamenti i Malit të Zi, me shumicë votash, miratoi të hënën ndryshimin e Ligjit për Presidentin, me të cilit shumica aktuale parlamentare do të marrë një pjesë të kompetencave së presidentit në zgjedhjen e qeverisë së re.
Qëllimi i ndryshimeve të propozuara nga Fronti Demokratik pro-rus është që kandidati i tyre, Miodrag Lekiq të zgjidhet kandidat për kryeministër i qeverisë së re malazeze.
Paraprakisht sot parlamenti i Malit të Zi nuk arriti të zgjedhë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese , sepse asnjë nga katër kandidatët nuk mori numër të mjaftueshëm votash.
Për zgjedhjet votuan 42 deputetë, ndërkohë që duheshin 49 vota nga 81 deputetë që ka parlamenti malazez. Në seancën e parlamentit nuk morën pjesë deputetët e opozitës.
Miratimi i Ligjit për Presidentin bie ndesh me rekomandimin e Komisionit të Venecias, i cili të premten tha që të “mos miratohen ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Malit të Zi, pasi ato në thelb do të përfaqësonin një ndryshim të Kushtetutës, me një shumicë më të vogël parlamentare se sa parashikohej”.
Pas miratimit të ndryshimeve të Ligjit për Presidentin, protestuesit që nga mëngjesi qëndruan para selisë së parlamentit, reaguan ashpër kundër veprimit të deputetëve të shumicës. Me atë rast selia e parlamentit u godit me sende të forta duke i thyer xhamat dhe dyert e parlamentit, pas së cilës policia ka hedhur gaz lotsjellës.
Qytetarët vazhdojnë të qëndrojnë para kordonit policor dhe këndojnë himnin kombëtar.
Një nga drejtuesit e policisë tentoi t’u drejtohej protestuesve, por ata e pritën me thirrje pakënaqësie dhe refuzuan të largohen.
Kriza e pushtetit në Mal të Zi kulmoi me rënien e qeverisë së Dritan Abazoviqit, pasi në mënyrë të njëanshme nënshkroi marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe, të cilën Partia Demokratike Socialiste e presidentit Milo Gjukanoviq dhe një pjesë e opozitës e konsideruan në kundërshtim me interesat kombëtare.
Miratimi i amendamenteve të diskutueshme në Ligjin për Presidentin pasoi pasi presidenti Gjukanoviq refuzoi propozimin e shumicës që kandidati i tyre Miodrag Lekiq të jetë mandatar dhe paraqiti propozimin për shpërndarjen e parlamentit dhe të shkohet në zgjedhjet e reja parlamentare.
Bashkimi Evropian shprehu disa herë shqetësimin për situatën politike në Mal të Zi dhe bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të bllokadës së institucioneve dhe normalizimin e situatës në vend.
BE u bëri thirrje forcave politike të mos e tensionojnë më tej situatën dhe të punojnë për arritjen e një konsensusi ndërpartiak, si përparësi kryesore. Ata kujtuan se përparimi i vazhdueshëm i Malit të Zi në anëtarësim kërkon që të gjithë aktorët politikë të mbështesin funksionimin e institucioneve demokratike. /VOA/