Nga Fitim ZEKTHI
Sfera publike në Shqipëri ka pësuar një degradim të tmerrshëm, një degradim të asaj shkalle sa është e vështirë të thuash diçka dhe të mos gjendesh i përfshirë domosdo në një “interes” apo të mos gjendesh mes sulmesh nga më të ulëtat. Sfera publike është kthyer në një hapësirë ku gëlon urrejtja, sharja, vulgariteti, mercenarizmi, shpifja, paturpësia aq sa mund të pyesësh në ka mbetur më ndonjë ves pa i dhënë formë mënyrës se si komunikohet në hapësirën publike.
Duke nisur nga kryeministri tek opinionistë të ndryshëm, nga deputetë te gazetarë, nga parlamenti te programe të ndryshme televizive, nga gazeta në portale, sfera publike është kthyer në një përbindësh që ushqehet po me atë që prodhon. Aktiviteti politik dhe ideologjia politike mund të jenë eksituese, por këto në vetvete nuk e ushqejnë thellë shpirtin e njeriut. Peggy Noonan, një studiuese amerikane, ishkëshilltare e Presidentit Reagan ,thotë se shumë nga politikanët dhe njerëzit që luftojnë për këto interesa kanë një shpellë në shpirtrat e tyre, të cilën përpiqen ta mbushin me obsesionin e tyre për politikën. Disa nga nevojat tona mund të mbushen vetëm nga Zoti.
Disa nevoja të tjera mbushen nga familja, miqtë, komuniteti etj. Megjithatë, politika ka një kuptim. Të gjithë kanë nevojë për një kuptim nga përfshirja në diçka më të madhe se sa vetja. Politika mund të jetë një pjesë eksituese edhe përmbushëse vetëm në qoftë se kemi dashuri për komunitetin dhe vendin dhe një sens të thellë etike si qytetarë dhe si votues, vetëm në qoftë se kemi krijuar një lidhje mendore mes parimeve politike, moralit dhe betejës së përjetshme të së mirës me djallëzoren, vetëm në qoftë se kemi një vizion mbi mënyrën se si çështjet politike ndikojnë në jetën tonë etj..
Sfera jonë publike ka degraduar kaq rëndë pikërisht për shkak të mosmbushjes së shpirtit me familjen, me komunitetin, me Zotin. Sfera publike ka degraduar për shkak se politika, pushteti, media janë krejt të zhveshura nga ndonjë sens etike si qytetarë dhe si votues dhe as që ka për shumë politikanë dhe njerëz të rëndësishëm të sferës publike ndonjë lidhje mendore të parimeve politike apo profesionale me moralin dhe me betejën e përjetshme me djallëzoren etj..
Kështu, si pasojë e kësaj hapësire publike të degraduar, shumica në qeveri, vetë qeveria shfaqet si e fuqishme, e pashkulshme, që po përpiqet në një vend të korruptuar të bëjë reforma ndërkohë që opozita sulmohet nga çdo drejtim dhe nga shumëkush. Çdo akt i opozitës është objekt sulmi, sharjeje, talljeje apo edhe akuze. Ky degradim i sferës publike sjell degradim gjithnjë e më të madh të qeverisë, të demokracisë etj., por edhe nuk lejon të kritikohet opozita në ato që duhet dhe nuk lejon që ajo të dëgjohet në ato që duhet.
Ky degradim nuk lejon të dëgjohet gjithkush që nuk është njësuar me degradimin e sferës. Partia Demokratike zhvilloi një Kongres ku u miratuan disa ndryshime statutore, të cilat më herët ishin miratuar edhe në Kryesinë dhe Këshillin e saj Kombëtar. Sfera e infektuar publike prodhoi zëra të rëndësishëm, emisione, tryeza, shkrime, postime në “Facebook” etj., që thanë se statuti ishte shkatërrim i PD-së, se Lulzim Basha mori nën kontroll partinë, se kryetari tashmë është i përjetshëm, se ai i vuri perde hekuri PD-së, se demokracia e brendshme u zhbë dhe tashmë PD është një parti e korruptuar, e shitur, e sunduar etj..
Statuti i ri për gjithkënd që është i djathtë, që beson se njeriu shumë nevoja i përmbush me Zotin, me familjen, komunitetin, që politikani duhet të ketë një lidhje mendore mes parimeve politike dhe atyre morale, për gjithkënd që është antikomunist dhe që e sheh lirinë ekonomike dhe pronën si vlera të patjetërsueshme, është një zhvendosje më djathtas se sa statuti i deridjeshëm. Në statutin e ri përmendet që në krye se PD-ja është një parti që udhëhiqet nga vlerat e besimit në Zot, nga ato të familjes tradicionale…etj.. Ky është një ndryshim i thellë dhe një zhvendosje e madhe në vlerat e djathta konservatore.
Deri më tani PD-ja nuk e ka pasur të shkruar, ndonëse e ka lënë të nënkuptohet zbehtas këtë aspekt. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PDsë, vetë kryetari Lulzim Basha ka mbrojtur me forcë nenin, e kundërshtuar nga një anëtare ateiste, duke thënë se PD-ja është një parti që beson në vlera të besimit në Zot e te familja tradicionale dhe se çdokush tjetër që e njeh veten për të djathtë, por është ateist, gjen te PD-ja të gjithë hapësirën që i duhet. Kudo partitë e djathta konservatore në botë i kanë nene të tilla. Ndryshime si ky do të duartrokiteshin thellë nga e djathta dhe do të shiheshin si piketa të mëdha të një ndryshimi domethënës.
Statuti i ri, duke i dhënë të drejtën anëtarë- sisë të votojë për kandidatët për deputetë dhe kandidatët për kryetarë bashkish, e ka çuar Partinë Demokratike në shinat e një partie tipike të djathtë konservatore. Maurice Duverger, një nga teoricienët më të njohur në studimin e partive politike i ndan ato në dy grupe. Në një grup janë partitë e majta kryesisht, që kanë një organizim të fortë gati qelizor dhe të sigurt, një strukturë të qëndrueshme të rregulluar në formë piramidale me hierarki të mbivendosur. Anëtarët e saj e identifikojnë veten më së shumti me ideologjinë e partisë. Vendimmarrja e tyre bëhet nga strukturat, të cilat janë gati të mitizuara (organizata bazë, sekretari i parë, i dytë, i përgjithshëm, plenumi etj.).
Grupi tjetër janë partitë popullore, partitë që drejtohen nga një elitë me ndikim, ku strukturat nuk kanë ndonjë rol të madh dhe ku anëtarësia ose mbështetësit votojnë për të zgjedhur kandidatët që i përfaqësojnë në garat elektorale. Në thelb partia janë njerëzit me ndikim dhe anëtarësia së bashku me mbështetësit. Rasti tipik është ai i primareve në SHBA. Këto parti kanë struktura të dobëta, nuk kanë disiplinë dhe iu lejojnë anëtarëve të tyre një liri të madhe veprimi ndryshe nga partitë e grupit të parë, në të cilat anëtari i bindet strukturës dhe gati është një i nënshtruar i saj.
Deri dje statuti i PD-së ia linte përgjegjësinë e zgjedhjes së kandidatëve për deputetë dhe atyre për bashkitë kryetarit të partisë dhe kryesisë së partisë. Për pasojë, partia nuk mund të kishte një elitë me ndikim që votohej në zona nga anëtarësia ose mbështetësit. Gjithashtu, ndryshimi zbeh rolin e kryetarit të partisë (dhe të strukturës që është Kryesia apo Këshilli Kombëtar) sepse iu heq atyre një kompetencë të rëndësishme, ndoshta më të rëndësishmen. Sigurisht që Kryesia dhe Këshilli kanë ende një rol, miratues më së shumti, por ky rol është shumë më i vogël se më parë.
Edhe zbehja e fuqisë së kryetarit është një tipar i partive të djathta, të cilat në shumë vende, sidomos SHBA dhe vendet e komonuellthit, i kanë dhënë kryetarit rolin e një përfaqësuesi politik dhe asgjë më shumë. Partitë e majta, sidomos ato komuniste, kanë kryetar të fortë dhe struktura vendimmarrëse të fuqishme. (Kina sot është një shembull, dje ishin të gjitha partitë komuniste.) Statuti nuk flet për dorëheqje të kryetarit kur ai humb zgjedhjet. Kjo mungesë është parë si “qëndrim i përjetshëm i Bashës në kryer të PD-së).
Edhe statuti i mëparshëm nuk fliste për dorëheqje. Për dorëheqje nuk flet as statuti i CDU-së së Merkelit, as statuti i Forza Italia të Berluskonit, as statuti i Partisë Popullore të Rahoy në Spanjë dhe as një statut i ndonjë partie të djathtë demokratike në botë. Rregullat tregojnë jo si dorëhiqet dikush, por si zgjidhet dhe si hiqet. Statuti i ri i PD-së ka lehtësuar shkarkimin e kryetarit. Në qoftë se dje duhej miratimi i Kuvendit, tani ai mund të shkarkohet nga Këshilli Kombëtar dhe Kuvendi e miraton.
Ndoshta edhe tani është e vështirë sa më parë, por nuk ka asnjë përkeqësim që të thuhet se Basha u bë kryetar i përjetshëm. Statuti nuk mund të sjellë një parti në pushtet, statuti nuk mund të shndërrojë një parti nga të korruptuar në të ndershme, nuk mund të transformojë një parti nga gjysmë e djathtë apo e djathtë e zbehtë në të djathtë të qartë etj.. Statuti është vetëm një instrument. Si çdo instrument ai ka vetëm aftësinë të rrisë (ose dobësojë) peshën e asaj që është ose të asaj që hyn në marrëdhënie me instrumentin.
Sigurisht statuti, pra instrumenti, zgjidhet në mënyrë të tillë që të përputhet me natyrën e subjektit, entitetit apo organizatës që do ta përdorë. Ai nuk ndryshon dot natyrën e saj dhe as nuk ndryshon dot mënyrën se si funksionon ajo. Si instrument statuti është përmirësuar, është bërë statut që përkon më shumë me të djathtën, që rezonon më shumë me qasjet konservatore dhe mban më larg ato liberale dhe të majta. Kryetari është më i dobët brenda partisë dhe mundësia për garë është shumë më e madhe. Kjo është e vërteta, të cilën sfera e degraduar publike e tëhuajëson, e bën të mos duket. Partia Demokratike nuk mund të quhet një parti e Lulzim Bashës për shkak të statutit të ri. As ai që punon në një arë nuk mund të quhet pronar i arës vetëm pse zgjedh të punojë në të jo me lopatë, por me traktor.
Ai që i jep ushtrisë pushkë në vend të shpatave, nuk mund të quhet pronar i ushtrisë. Në qoftë se statuti i ri do të ngushtonte hapësirat e garës, do të forconte kryetarin, do ta çonte PD-në majtas, do të fliste në terma të ideve liberale, majtiste, do të mbronte shtetëzimet, familjen me dy prindër gay etj., atëherë do të ishim vërtet në kushtet për të cilat flet sfera. Sfera publike ngatërron me qëllim instrumentin që është statuti dhe që është kërkuar të ndryshohet nga Basha me partinë. Pra, barazojnë traktorin me arën. Ara është e demokratëve, shqiptarëve, të djathtëve etj..
Sfera publike e bën këtë ngatërresë sepse, siç thotë Peggy Noonan, shumë njerëz që e dominojnë atë kanë një shpellë në shpirtrat e tyre, të cilën duan ta mbushin me obsesionin për politikën, pushtetin etj.. Ndoshta PD-ja mund të mos arrijë asgjë me ndryshimet, ndoshta Lulzim Basha mund të mos ia dalë fare të kthejë PDnë nga një opozitë ndaj Ramës në një alternativë qeverisë që ndiqet dhe shihet me shpresë nga njerëzit, por statuti nuk thotë këtë gjë. Një statut i tillë që thekson të djathtën dhe lirinë e garës më shumë sesa ishte, nuk mund të bëhet shkak për këtë gjë.