Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i ndodhur në mes të ‘luftës’ së Partisë Demokratike ka paralajmëruar mosregjistrimin në zgjedhjet vendore të partisë më të madhe opozitare në vend. I pyetur nga gazetarët se cilin grup të PD-së do të regjistrojë në zgjedhje, atë të Sali Berishës apo atë të Enkelejd Alibeajt, Celibashi tha se duhet të zgjidhin këtë ngrëç që kanë mes tyre pasi rrezikon që asnjë palë të mos marrë pjesë në zgjedhje.
Celibashi u tregua i prerë, duke thënë se nuk i takon KQZ që të zgjidhë luftën mes dy kampeve demokratike, por për të gjetur një zgjidhje duhet të angazhohen të gjitha palët, si aktorët institucionalë edhe ata politikë.
“Për ne ka një PD, është një person juridik. Ngelet për tu parë se kush e ka tagrin për të vepruar në emër të PD. Do ishte mirë që kjo çështje të ishte zgjidhur. Flitet për një parti kryesore të opozitës dhe unë mendoj se sa s’është vonë gjithkush që në një mënyrë apo një tjetër që mund të kontribuojë në zgjidhjen e kësaj situate.
Do të duhet të angazhoheni për të gjetur një zgjidhje, s’mund të bëjmë sikur s’po ndodh asgjë, pasi partia kryesore e opozitës mund të mos regjistrohet. Gjithsesi, do të duhet që secili prej faktorëve institucionalë dhe politik të angazhohet për këtë proces, nuk mund ta injorojmë, të shohim çfarë vendos KQZ dhe të veprojmë.”- tha ai.
Në një kohë kur ende nuk ka një vendim se kë do të regjistrojë për garën elektorale të 14majit, Celibashi thotë se KQZ njeh vetëm një PD, që është një person juridik. Për këtë ai u shpreh se do të marrin në shqyrtim të gjitha dokumentet për të dalë më pas në konkluzionin se kush ka të drejtë të veprojë në emër të PD-së. Këtu, Celibashi nënkupton që KQZ do të marrë në shqyrtim regjistrin e Partive Politike, vendimin e Agron Zhukrit që i ka dhënë partinë Sali Berishës, por nga ana tjetër edhe ankimin që ka bërë grupi i Enkelejd Alibeajt kundrejt vendimit të Zhukrit.
Sa i përket listave me anëtarët për KZAZ-të të depozituar nga Berisha dhe Alibeaj, Celibashi tha se ka nisur procesi i verifikimit i dokumentacionit.