Partia Socialiste do të mbledhë të dielën Kongresin Zgjedhor në orën 11:00 tek pallati i Kongreseve. Gjatë Kongresit pritet që të votohet Asambleja e re Kombëtare, e cila del nga delegatët.
Asambleja e PS ka rreth 400 anëtarë, por Kongresi do të zgjedhë vetëm 156 prej tyre, pasi anëtarët e tjera janë automatikisht për shkak të funksionit (kryetarët Kuvendi, deputetë, ministra, kryetarë bashkish).
Gjatë pjesës së parë të kongresit, fokus i diskutimit do të jenë turizmi-antikorrupsioni dhe mirëqeverisja si dhe synimet e PS-së për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Përveç kryeministrit pritet të flasin edhe ministrat sipas fushave të përcaktuara si prioritet për platformën e qeverisjes së tij.
“Pjesa e parë do të jetë me shumë interes, pasi do të flasim për çështjen e shtetit të së drejtës dhe do flasim për gjithë përpjekjet për ta bërë Shqipërinë një yll polar në rajon. Në pjesën e dytë do të zgjedhim anëtarët për Asamblenë Kombëtare që del nga delegatët.”, tha kreu i grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi pak ditë më parë në një konferencë për mediat.
Gjatë kongresit pritet të bëhet edhe një analizë çfarë ka arritur në këto tre vite qeverisja socialiste, e cila është në pushtet përmes një mandati te tretë qeverisës.