2 korriku 1990 shënoi atë që mund të konsiderohet fillimi i një eksodi të pandalshëm të shqiptarëve drejt përendimit. 32 vite më parë, dyert e shumë ambasadave perendimore por edhe lindore, u hapën dhe mijëra shqiptarë u futën brenda tyre me shpresën e një jete më të mirë në një vend ku kishte më shumë liri se Shqipëria.
Pavarësisht se kanë kaluar 32 vite, pavarësisht se vendi po bëhet gati të nisë bisedimet me BE- në për antarësimin në familjen europiane, ikjet nga Shqipëria drejt Europës por edhe vendeve të tjera vazhdojnë.
Në mes atyre që sfiduan regjimin komunist duke i dhënë edhe goditjen përfundimtare si pararendëse e zhvillimeve të dhjetor 1990, është edhe shkodrani Ridvan Omi. Ai ka publikuar disa rreshta në përkujtim të 2 korrik 1990, duke i shoqëruar me dokumenta autentike siç ishte pasaporta shqiptare e kohës dhe leja e qendrimit në Gjermani, ku ai zgjodhi të jetojë.
“Sot 32 vjet nga goditja përfundimtare e sistemit komunist në Shqipëri…
Jeta e rrënuar si në ekonomi dhe fryma e rënies së komunizmit në disa vende të bllokut lindor nxiti shumë qytetarë, të rinj e të reja të sakrifikonin për Endrrën e një jete të lirë në vendet perëndimore.
Nesër me 3 Korrik me bahen 32 vjet ku mora rrugën e panjohur drejt perëndimit në Gjermani, sot pas 32 vjetësh shikoj që përsëri Shqiptarët largohen. Pse ???
Në vitet ’90 ishte sistemi që detyronte largimin por sot është pasiguria që politikanët kanë sjellë në bashkëpunim me krimin… Shpresoj që të ndryshojë diçka duke u bashkuar dhe ngritur zërin për të drejta themelore, për brezat që vijnë pas…”, përfundon refleksionin e tij shkodrani Ridvan Omi. /ShkodraWeb/