Një ngjarje e paprecedentë ndodhi javën që lamë pas në Spitalin Rajonal të Shkodrës. U arrestuan 9 mjekë e infermierë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ngjarja tronditi mbarë opinionin publik por edhe vetë bluzat e bardha. Mes të arrestuarve ishte edhe ish-drejtori i Spitalit, Përparim Çela i cili dy ditë më parë fitoi lirinë bashkë me kolegët e tij nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër.
Mjekët ndihen të fyer, të poshtëruar dhe të cënuar padrejtësisht por nuk kanë hequr dorë nga detyra për t’u shërbyer atyre qindra pacientëve të cilët mbetën pa trajtim për dy ditë me rradhë. Pas një insistimi të vazhdueshëm, doktor Përparim Çela ndau me ne vendimin e tij për t’u rikthyer në krye të detyrës.
“E rëndësishme është që unë sot jam i lirë dhe ushtroj profesionin tim. Sot jam kthyer në spital për t’u shërbyer pacientëve të mi. Hetimi le të vazhdojë e drejtësia le të thotë fjalën e saj”, u shpreh doktor Çela.
I pyetur për përjetimet e familjarëve të tij nisur nga fakti që bashkëshortja e doktor Çelës bëri edhe një reagim publik ku ndau dhimbjen e madhe për arrestimin e të shoqit, doktori u shpreh:
“Është një gjendje shumë e keqe emocionale. Familja ime është e traumatizuar. Lotët e bashkëshortes ishin lotë shpirti”.
Pacientët e doktor Çelës janë lumturuar sot kur e gjetën në spital, gati për t’u shërbyer e për të lënë pas këtë episod të paprecedentë. /NewsBomb/