Dy ditë pas protestës, ambasadori i SHBA, Donald Lu ka shkuar në zyrën e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Mësohet se ka qenë vetë ambasadori amerikan ai i cili ka kërkuar takim me Bashën dhe Kryemadhin. Fillimisht, Lu takoi Basha me të cilin bisedoi për rreth 70 minuta. Ndërsa më pas ambasadori amerikan është nisur drejt selisë së LSI, ku është pritur nga Kryemadhi.
Takimet vijnë pas protestës së opozitës dhe zhvillimeve në Kuvend ku deputetët e PD dhe LSI krijuan një situatë të jashtëzakonshme gjatë seancës për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, ku u hodhën tymuese dhe sende të forta. Pas protestatve të dhunshme, ambasada e SHBA reagoi ashpër, duke dënuar dhunën dhe duke sqaruar se iku kryeprokurori që nuk pranonte të hetonte politikanët.
Nga ana e tij, kryedemokrati Basha iu përgjigj po me tone të ashpra diplomatit amerikan, duke thënë se në SHBA një qeveri e lidhur me krimin do të ishte rrëzuar, ashtu siç do të ishte futur në burg një ministër që akuzohej për trafik droge. Ndërsa i ashpër ndaj ambasadorit Lu ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha i cili jo më larg se një ditë më parë e quajti të njëanshëm.