Në numrin e fundit për vitin 2021, “RD” gazeta zyrtare e PD- së, në versionin print shpalli ish- kryeministri Berisha si “njeriun e vitit”. Prej ditësh një rrjete sociale dhe portale, qarkullon pikërisht faqja e parë e kësaj gazete në versionin e shtypur. Madje, edhe Bledi Kasmi, kryeredaktor i “RD” ka publikuar këtë faqe gazete në profilin e tij në Facebook.
Gazeta që lindi bashkë me PD- në në vitet ’90, ka një faqe zyrtare në internet www.rd.al. Menjë kërkim të thjeshtë online, nuk rezulton asnjë publikim “Njeriu i vitit” për ish- kryeministrin Berisha. Ndërkohë, duket se faqja zyrtare në internet e “RD” është dublikuar. Ndërkohë është shfaqur aktive një faqe tjetër www.rdnews.al, e cila ngjan me një dublikim të faqes zyrtare të “RD”, duke nisur nga logoja indentifikuese.
Nga një vëzhgim i thjeshtë në profilin e Kasmit, konstatohet se ai tashmë është pozicionuar në krah të ish- kryeministrit Berisha. Nga ana tjetër, nuk ka njoftim zyrtar për largim apo zëvendësim të Kasmit në krye të “RD” -së. Por në logon e faqes www.rd.al nuk rezulton më emri i Bledi Kasmit si kryeredaktor, duke lënë të kuptohet se ai mund të jetë larguar në heshtje.
Në atë që mund të konsiderohet përplasje për lidershipin e PD- së, mund të jetë përfshirë edhe organi zyrtar i shtypit “RD”, edhe pse deri tani nuk ka asgjë zyrtare se kush e administron. Por lehtësisht mund të konstatohet se në versionin online në faqen zyrtare www.rd.al Basha zë hapësirën më të madhe teksa tek faqja tjetër www.rdnews.al, është Berisha figurë kryesore.
Tek kjo faqe, ikonat- link të rrjeteve sociale, të ridrejtojnë në faqe që nuk kanë lidhje me “RD” zyrtare, duke lënë të kuptohet se www.rdnews.al është një faqe që është alternativë e asaj tradicionale www.rd.al. /ShkodraWeb/