Një tifozë e Brazilit ka humbur jetën tragjikisht pasi është prerë në fyt nga xhami i një gote të thyer, teksa festonte fitoren e ekipit të zemrës kundër Serbisë.
Tamra Maiochi pësoi aksidentin e çuditshëm fill pasi arbitri fërshëlleu bilbilin duke sinjalizuar fundin e ndeshjes së të mërkurës, që dërgoi Neymarin dhe shokët e tij në fazën e 1/8 të Kupës së Botës, që po zhvillohet në Rusi.
30-vjeçarja ishte duke parë ndeshjen me miqtë në një shtëpi në Itatiba, në shtetin juglindor brazilian të Sao Paulos.
Sipas policisë lokale, Maiochi ishte ulur në një divan duke mbajtur telefonin e saj celular në njërën dorë dhe duke pirë verë nga një gotë që e mbante në dorën tjetrën.
Teksa u ngrit bashkë me pjesën tjetër të grupit për të festuar fitoren e Brazilit në fund të lojës, ajo humbi ekuilibrin dhe ra mbi një gotë që ndodhej në tavolinën aty pranë. Gota u thye dhe copat e xhamit premë venën e qafës së të resë.
Miqtë u përpoqën ti ndalonin gjakderdhjen, por kur ekipet e urgjencës arritën në shtëpi, ajo ishte e vdekur.
Maiochi postoi një foto në faqen e saj të Facebook më 31 maj, duke mbajtur një gotë verë në dorë.
Dhe në postimin e saj të fundit në rrjetin social ajo ndau një video që paralajmëronte për rreziqet e përdorimit të celularit në timon.
“Nuk e imagjinojmë kurrë se diçka e tillë mund të ndodhë me ne. Por aksidentet ndodhin”, shkroi në postim, “në fenë time, spiritualizëm, besoj se gjithçka ndodh për një arsye”.
Shefi i policisë Luciano Carneiro de Paiva tha se një hetim do të hapej lidhur me vdekjen e znj. Maiochi, edhe pse çdo gjë tregon për një aksident tragjik.
Trupi i saj u dërgua në qytetin e saj të lindjes Conchal, në shtetin Sao Paulo, për zhvillimin e funeralit./panorama/