Nga Besi Bekteshi
Tanimë “gazemikrofontarëve” ja kanë marrë dorën të gjithë. Kush del (jo të gjithë jo) përpara tyre, e para i përçmon, nënqesh, acarohet, dhe pastaj duke “përmbajtur veten” – i bëjnë fajtorë të lajmit, apo dhe përdorimit të lajmit. Në fakt, në fillimet e pushtetit të PD-së dhe doktorit, por dhe në pushtetin e dytë, kishte rrahje gazetarësh, djegie gazete dhe sidomos gjoba nga gjykatat e pushtetit politik. Nuk janë harruar jo dhe pikërisht edhe këtu, te kjo testatë mediatike e përditshme e shtypit! Po po, por nga fundi i pushtetit të tashmë degraduar të 13 viteve të PD-së dhe doktorit “respekti për gazetarët sidomos për ata të pasuruarit në shërbim të partisë” u bë shumë, por shumë i madh.Janë momente të jashtëzakonshme deliri anti gazetaresk dhe anti media të “hollandezit fluturues” dhe e kam fjalën në fluturimet e fjalimeve në delir, kur shante mediat në “shërbim” duke thënë dhe fjalën shumicë. Hollandezi ishte futur në çadër dhe këtë e kishte bërë, sepse nuk ishte i zoti të mblidhte njerëz dhe padyshim se dikush i zgjuar i kishte thënë – se aty do të vijnë mediat vetë. E ashtu ishte! Të gjitha “gdhiheshin dhe ngryseshin” në çadrën e Bashës, biles provuan dhe pica e byrekë e dikush dhe birra, por nuk di se ku shkonin për të …e kuptoni ju vetë. Jepnin në çdo moment info dhe ndonjë marrëzi që ndodhte në çadër e fusnin direkt të gjithë, kurse i madhi i të djathtëve shqiptarë i shante shumicën e tyre si shërbëtorë të Ramës dhe të paguar nga ai. Ato jep Bashën (live) që shante mediat përditë si shërbëtore të pushtetit dhe të blera nga Rama – ai shaj akoma më shumë mediat. Ato (mediat) nxirr Bashën duke ulëritur në çadër – ai shaji dhe kërdisi mediat dhe qesh e zgërdhiu me njerëzit e petullave, picave e byrekëve në çadër, se sa bukur i kishte shpartalluar “veglat mediatike të Ramës”. Por pastaj, durimi i humbi dhe Ramës vetë, që sigurisht e ka nga modeli i tij i batutës dhe të thënit të gjërave, kur është në të drejtpërdrejtën që zakonisht është munduar për hatër të etikës dhe politesës të – përmbajë. Pastaj dolën kazani dhe batutat e famshme të tij – sidomos kur mediat “konsideronin heqje imuniteti” etj., etj.
Tani mediat, sidomos gazetarët reporterë që mbajnë mikrofonat, kameramanët pas tyre, duhet të merrnin dhe leksione (me një farë urdhëri gati në veprim) nga ish Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, por në rolin e Prof. Dr. të jurisprudencës që sigurisht është dhe në honorarin si avokat i Sajmir Tahirit. Në të vërtetë, sigurisht që Maks Haxhinë e ka zëmëruar tërheqja e pasaportës të Tahirit dhe nuk është vetëm një humbje si mbrojtje për të, por dhe një vonesë në procedura të mëtejshme. Sigurisht duke qenë dhe unë gazetar, por më larg se ata në sulm mikrofonash – them se gjykata e “paanshme demokratike” dhe një mizë të ketë shtypur pa dashje Tahiri, do t’ja merrnin pasaportën e jo më “pasazhet” që thotë Haxhia që ka nxjerrë media. Por sinqerisht zotin Haxhia e dija me një autokontroll të jashtëzakonshëm prej juristi dhe avokati. Megjithatë, mbase është koha e dikurshme që e ka thyer (autokontrollin) në “mendime”, të cilat pastaj nuk ka se kujt ja zbraz përveç gazetarëve me mikrofona dhe medias në përgjithësi. Cila kohë e dikurshme? Po kollaj fare, ajo kohë e vitit 1992, ose korriku ku Sali Berisha e vendosi Kryeprokuror të Shqipërisë. E votuan demokratë e socialistë përveç Rudolf Markut (6 maj 1992), i cili tregoi se ai kishte familjarë pjesë të nomenklaturës së vjetër! Nejse, doktori çdo prokuror që ka zgjedhur, e ka larguar më pas si armik i partisë “së bukur të dheut” dhe armik i tij! Por Prof. Dr. Maks Haxhia, u shkarkua në nëntor të atij viti, sepse sipas (jo sipas medias) mazhorancës ishte në “shërbim të opozitës dhe nomenklaturës”. Biles një person i ish nomenklaturës i ktheu përgjigje si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese ose Rustem Gjata se “partia që e kishte emëruar ishte në pajtim me ligjin për ta shkarkuar” – hahaha tipike e partisë së doktorit. E avokat Haxhia ishte i pari, por po ashtu shkuan dhe Arben Rakipi dhe Theodhori Sollaku. Në 17 shtator, Haxhia u shkarkua mbas mocionit të PD-së, e cila e kritikonte për mangësi në drejtimin e institucionit dhe më e rëndësishmja “ dënimi apo akuza e munguar për ish Anëtarët e Byrosë Politike”. Po tipike e asaj kohe dhe akoma mentalitet i luftës së klasave në “antikomunistët më të mëdhenj të botës” me qendër në SHQUP në Tiranë sot e kësaj dite. Mbas tij erdhën njerëzit që futën Nanon në burg.
Sot avokati po mbron ish ministrin e Brendshëm ose Saimir Tahirin. E di fare mirë se mbi të (klientin e tij) mbështetet doktrina antikrim ose antikorrupsion e PD-së dhe pastaj lidershipit aty për të inkriminuar si kundërshtarin politik dhe mos realizuar Reformën në Drejtësi dhe është i qartë se gjykatat në përgjithësi janë prodhim i kësaj doktrine – e si përfundim kapet me gazetarët. Tani ky nuk është më një model i një profesionisti në drejtësi. Rrëzimi i nervave pse gjykata merr parasysh ato çfarë media përtyp apo dhe pështyn – e bën një avokat dhe njeri të drejtësisë të ketë detyrim të ruajë nervat të mos shpërthejë kështu. Si të shpërthejë? Kështu pra, kur tha duke u ulur nga shkallët: kam një thirrje për median. Të bëjnë kujdes ose do të marrim masat t’ju bëjmë një kurs special për drejtësinë, në raport me vlerat e individit dhe gjykatat. Sepse “media po lë dashur pa dashur njerëzit në burg”. Kjo tani ishte e tepërt, ishte një delir apo shpërthim jo profesional dhe emotiv që të bën të dyshosh me aftësinë e durimit dhe fitores dhe në sallë të një gjyqi sigurisht në demokraci në mbrojtje të klientit të tij. Klienti i tij ose Tahiri ishte shembull në këtë drejtim. E sulmonin dhe deri në banalitete e fyerje dhe duronte duke pasur moshë shumë më të re se sa – avokati i tij sot. Por sigurisht nuk i kthehej reporterëve dhe atyre që i kanë shtrirë mikrofonin – ashtu. Asnjë kurs nuk mundet ti bëjë avokati i dashur dhe nderuar mediave, sepse jo vetëm nuk ka tagër, por nuk i bën mirë as klientit kur shpërthen kundra tyre. Avokatë në botë, kanë dalë në intervista (sidomos kur kanë pasur në mbrojtje politikanë) para mediave nga veprime dhe vendime absurde gjykatash në dëm të klientëve dhe avokati – ka duruar dhe është treguar racional e në siguri fitoreje përpara mediave, duke treguar dhe epërsinë mbi veprimin e gjykatës. T’i fusësh në një thes mediat, duke mos dalluar kush dhe kur – është po kaq jo profesionale, sa vendimi i një gjykate që merr pasaportën në saj të raporteve të medieve. Nëqoftëse është definuar kështu dhe jo bie fjala – thellim në dosjen e Katanias.
Pra i dashur avokat i nderuar – përpara se t’ju japësh leksione dhe ti bësh kurse mediave me temën “vlera e individit dhe gjykatat”. Sidomos në këtë temë – që nuk gjenden momente doktorature, as referenca ligjore për “vlerat e njeriut” – nuk di në se janë të barasvlershme me “të drejtat e njeriut”. E pastaj këtë si – “vlera në përballje me gjykatat”. Megjithatë bukur fort. Por “taksirat avokat” mbasi të sqarohet nëse ishin mediat apo raporti (dosje e plotë) i prokurorisë së Katanias” – le ti bëjë dhe një kurs gjykatave (zonjës Baku) për “vlerat e njeriut dhe gjykatat” pasi të ketë mbaruar punë me gezetarët.