Partia Demokratike do të mbledh në orën 17:00 të kësaj të marte Kolegjin e Kryetarëve. Në fokus të diskutimeve pritet të jetë rezultati i dobët në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit.
Ky zhvillim në selinë blu vjen një ditë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar Demokrat, ku pati debate të forta në lidhje me shkaqet e humbjes në zgjedhjet e 6 Marsit.
Kujtojmë se në një mbledhje urgjente pas seancës plenare të së hënës, shumica e deputetëve që janë në grupin e PD-së kërkuan nga kryedemokrati Basha që të marrë përgjegjësi dhe të zgjidhë situatën.
Zgjidhjen, anëtarët e grupit të PD-së, e shohin tek vota. Kjo sipas tyre do të bashkonte edhe demokratët.
Burimet bënë me dije se të paktë ishin ata të cilët mbrojtën dje kryedemokratin Basha, duke renditur Pampurin, Agalliun e Jakupllarin. Ndërkohë, të tjerët u shprehën se kryetari i partisë është përgjegjësi kryesor për humbjen dhe si i tillë, Basha do duhet të mbajë përgjegjësi.
Ndërkohë, deklarata e disa orëve më parë e kreut të selisë blu se nuk kishte humbur asnjë betejë elektorale kishte revoltuar së tepërmi ata. Ndërkohë, në 3 orë diskutime Basha mbajti shënime dhe nuk replikoi thuajse me askënd.