Ndonëse Këshilli i Evropës anuloi misionin e vëzhguesve për zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri, OSBE/ODIHR do të vijojë misionin e saj. Katya Andrusz, Zëdhënësja e OSBE/ODIHR thotë në një komunikim për mediat se vëzhgimi do të vijojë dhe se aktualisht të dërguarit janë në terren për të monitoruar cilësinë e procesit.
“Po, vëzhgimi i zgjedhjeve nga ODIHR-it do të vazhdojë. Ne jemi politikisht tërësisht neutral dhe prandaj nuk kemi asnjë opinion për rezultatin e zgjedhjeve. Ne jemi në terren për të monitoruar cilësinë e procesit zgjedhor”, thotë zëdhënësja e OSBE/ODIHR. Sot u bë e ditur se Këshilli i Europës ka anuluar misionin vëzhgues prej paqartësive në procesin zgjedhor të 30 qershorit. Në një e-mail dërguar deputetëve, thuhet se tërheqja vjen për shkak të pasigurisë së vazhdueshme dhe rreziqeve në disa zona.