Pas lirimit nga Gjykata e Krujës media ka qenë në banesën e Genc Tafilit në lagjen “Ndocaj” në Shkodër. Banesa qëndron e mbyllur dhe ka dalë në shitje prej vitesh. Familja Tafili është zhvendosur nga qyteti prej fillesave të problemeve me familjen Pjetrushi, por edhe të tjerë. Në lagjen Ndocaj banesa është e kyçur, familja është zhvendosur prej kohësh pas problemeve dhe është nxjerrë në shitje. Dera e ndërtesës është e kyçur me një dry të vjetër dhe të ndryshkur.
Fqinjët janë tepër te rezervuar për të folur para kamerave por larg saj pohojnë se prej kohësh nuk kanë parë asnjë lëvizje në banesën e Tafilajve. Sipas tyre familja është larguar në Tiranë dhe në shtëpinë e vjetër nuk jeton me askush. Lajmi për lirimin nga burgu të Genc Tafilit natyrisht që iu ka bërë përshtypje. Duke mos dashur të mbajnë kontakte asnjë prej banorëve nuk ka komunikuar me fqinjët e zhvendosur.
Teksa i kishin mbetur edhe 3 vite burg, Gjykata e Krujës liroi me kusht Genc Tafilin, i dënuar me 25 vite burgim për bashkëpunim në vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit në vitin 2000. Në atë kohe policia e Shkodrës organizoi një operacion për arrestimin e Bahri Tafilit, babait të vëllezërve Genc dhe Admir Tafili. Në një shkëmbim zjarri gjatë operacionit u vra i kërkuari, por edhe drejtori i policisë Arben Zylyftari. Për vrasjen e Bahri Tafilit familja akuzoi shefin e krimeve të asaj kohe, Prelë Pjetrushin. Pas ngjarjes që futi në konflikt dy familjet, në vitin 2001 Admir Tafili kreu një atentat, mbi shefin e krimeve të Malësisë së Madhe, Prelë Pjetrushi, por ky i fundit arriti të mbijetojë. Duke u ndier i kërcënuar, ai u detyrua të largohet në SHBA.
Në lidhje me këtë ngjarje, në vitin 2002 policia arrestoi Admir Tafilin i cili u dërgua në burgun e Shën Kollit për të vuajtur dënimin. Në fundin e shtatorit 2010, Prelë Pjetrushi erdhi nga SHBA në Shqipëri për të parë prindërit dhe vëllezërit e tij dhe lajmi shkoi deri në burgun e Shënkollit. Admir Tafili u arratis nga ky burg, por Pjetrushi u largua menjëherë nga Shqipëria sapo mësoi se personi që i kishte bërë atentat edhe më parë ishte i lirë. Pak muaj më vonë Admir Tafili ende i arratisur, ekzekutoi në shenjë hakmarrjeje 2 vëllezërit e Prelës, Nik e Gjovalin Pjetrushi. /balkanweb/